
Trupat e 8 civilëve janë nxjerrë nga varri i dytë masiv i zbuluar në qytetin Bucha të Ukrainës ndaj të cilës Rusia ka hapur luftë, transmeton Insajderi.
Trupat e civilëve që pretendohen se janë vrarë nga ushtarët rusë në periudhën kur rajoni ndodhej nën pushtimin rus, nxirren dhe më pas dërgohen për identifikim në institucionet e mjekësisë ligjore.
Trupave të nxjerrë nga varri i dytë i gjetur menjëherë pranë varrit të parë masiv që u hap 4 ditë më parë në rrethimin e brendshëm të kishës St.Andrew, u janë vënë numra për kryerjen e ekzaminimit të ADN-së dhe janë bërë gati për dërgimin në qendrat përkatëse.
Prokurori i rajonit Bucha, Ruslan Kravchenko, i cili ndjek në vend punimet për nxjerrjen e trupave tha se vetëm në varrin e parë masiv janë nxjerrë gjithsej 57 trupa.
“Si rezultat i ekzaminimeve të bëra mbi kufomat është zbuluar se civilët janë qëlluar me armë nga ushtarët rusë”, tha Kravchenkko i cili shtoi se “Këta njerëz janë vrarë gjatë evakuimit”.
Nga varri i dytë masiv i hapur sot, deri më tani janë nxjerrë 8 trupa dhe ndërkohë vazhdojnë punimet.
Në shumicën e trupave të nxjerrë nga varret masive në Bucha, vërehen shenja të plumbave në qafë, gjunjë dhe pjesë të tjera të trupit.
Reagime të mëdha shkaktuan pamjet e civilëve të ekzekutuar nëpër rrugë dhe varrezat masive në qytetin Bucha, i cili u vendos në agjendën botërore me pamjet e kufomave nëpër rrugë dhe ku ushtria ruse u tërhoq në fillim të prillit./AA/