Kryetari Italian, tregon ëndrrën e popullit maqedonas - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kryetari Italian, tregon ëndrrën e popullit maqedonas

    Insajderi
    13 April 2022 - 17:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Italisë, Roberto Fico, ka deklaruar se ëndrra e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE) nuk duhet të vonohet dhe se muajt e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për mundësinë e hapjes së negociatave për anëtarësim të vendit në BE, transmeton Insajderi.

    Fico qëndron për vizitë në Shkup, ku u prit në takim nga kryeparlamentari Talat Xhaferi. Pas takimit dypalësh të mbajtur në Kuvend, të dy u adresuan në një konferencë të përbashkët për media.

    Në fillim të fjalës së tij, Fico ftoi Xhaferin në një vizitë në Itali për të nënshkruar një protokoll për forcimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve.

    Duke iu referuar çështjes së fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, Fico theksoi se i gjithë populli i Maqedonisë së Veriut ka një ëndërr të përbashkët, anëtarësimin në BE.

    “Muajt ​​e ardhshëm do të jenë shumë të rëndësishëm për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në. Mendoj se nuk duhet vonuar më. E di shumë mirë se i gjithë populli maqedonas ka një ëndërr të përbashkët, e ajo është ëndrra për të hyrë në BE. Dhe, ne si evropianë nuk mund ta tradhtojmë këtë ëndërr”, tha Fico.

    Duke theksuar se është thelbësore që Ballkani Perëndimor të jetë partneri i parë strategjik i BE-së, ai tha se askush në BE nuk mund ta mohojë këtë dhe se ai shpreson se ky rajon do të njihet si një prioritet kyç.

    Xhaferi, nga ana e tij, theksoi se vizita e homologut të tij italian bëhet 23 vite pas vizitës së fundit të një kryeparlamentari italian në Maqedoninë e Veriut. Ai tha se vendi i tij me Italinë kanë marrëdhënie të ngushta dhe tradicionalisht miqësore.

    Duke iu referuar bashkëpunimit parlamentar që po zhvillohet mes grupeve përkatëse parlamentare në dy legjislaturat, Xhaferi kujtoi se Maqedonia e Veriut dhe Italia janë aleatë të barabartë në NATO.

    “Në konceptin aktual të sigurisë me Italinë jemi aleatë të barabartë në NATO, veçanërisht në kuadër të misionit ‘SEEBRIG’ në Maqedoninë e Veriut, komanda e të cilës tani është vendosur në Kumanovë. Po ashtu edhe me KFOR-in në Kosovë, ku zv/komandanti është gjeneral major italian dhe shpreha interesin tonë për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella, sepse besoj se bashkëpunimi i përbashkët është një kontribut i vërtetë për forcimin ushtarako-politik të Aleancës dhe kohezionit ndërmjet vendeve anëtare dhe partnerëve të saj”, tha Xhaferi.

    Xhaferi po ashtu tha se janë të hapur për zhvillimin dhe promovimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në të gjitha fushat ku ka interes të ndërsjellë, si në ekonomi, kulturë, arsim, turizëm, shëndetësi dhe në fusha të tjera./AA


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark