
Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde tha se qeveria ka vendosur të përfundojë raportin e sigurisë kombëtare brenda dy javësh për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të mundshëm në NATO, transmeton Gazeta Insajderi.
Linde, e cila u takua me ministrin e Mbrojtjes Peter Hultqvist, bëri një deklaratë për shtyp pas takimit.
Duke vlerësuar procesin e aplikimit për anëtarësim të Suedisë në NATO, Linde tha: “Ne jemi dakord që raporti i sigurisë kombëtare i përgatitur për NATO-n të jetë gati më 13 maj, në vend të 31 majit. Në këtë kontekst, ne parashikojmë që raporti të përfundojë brenda dy javësh”, tha ajo.
PËRGJIGJE NDAJ KËRCËNIMIT TË RUSISË
Duke iu përgjigjur deklaratave të zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila kishte thënë se “do të ketë pasoja nëse Finlanda dhe Suedia hyjnë në NATO”, Linde tha se Rusia na ka kërcënuar shumë herë. Duhet të respektohet që çdo vend vendos për politikat e veta të sigurisë. Situata e Rusisë do të merret parasysh edhe në raportin e sigurisë kombëtare”, tha ajo, transmeton Insajderi.
Linde shtoi se vendimi i Finlandës për të aplikuar për anëtarësim të mundshëm në NATO do të ndikojë gjithashtu në raportin e sigurisë kombëtare.
Ndërkaq, Ministri i Mbrojtjes Peter Hultqvist vuri në dukje se faktori që e shtyu Suedinë të anëtarësohej në NATO ishte gatishmëria e Finlandës për të vepruar.
57 PËR QIND E SUEDEZËVE MBËSHTESIN ANËTARËSIMIN NË NATO
Nga ana tjetër, sipas sondazhit të kryer nga gazeta më e madhe në vend “Aftonbladet”, u zbulua se 57 për qind e suedezëve mbështesin anëtarësimin në NATO. Ndërkaq, para luftës Ukrainë-Rusi, sondazhet tregonin se 30 për qind e suedezëve mbështesnin anëtarësimin në NATO./Insajderi/