'Tregtia' e Qeverisë Kurti me UBT-në: Ekspertët ia emëron nëpër borde , njerëzit e vet i qon aty aty si profesorë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Aktuale

    ‘Tregtia’ e Qeverisë Kurti me UBT-në: Ekspertët ia emëron nëpër borde , njerëzit e vet i qon aty aty si profesorë

    Insajderi
    24 April 2022 - 15:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nënshkroi një marrëveshje me Kolegjin ‘UBT’, aty edhe ku merr një pagë të majme – më shumë se 1000 euro në muaj si profesor. E ky kolegj, përpos që punëson plot njerëz të lidhur me pushtetin, po shërben edhe si institucion për të prodhuar kuadro për shtetin. Qeveria që udhëhiqet nga Albin Kurti ka vendosur që të marrë kuadro nga UBT për të drejtuar bordet e institucioneve të pavarura…

    Pas  raportimit për lidhjet e Liburn Aliut me kolegjin privat UBT,  kjo u bë temë kyçe e javës teksa ministri njoftoi për një nënshkrim të një marrëveshjeje me këtë kolegj, e ku është profesor njëkohësisht. Kjo u cilësua si konflikt interesi, derisa Agjencia Kundër Korrupsion ka filluar të merret me këtë rast. Por jo vetëm Aliu është i punësuar në UBT, ka edhe emra të tjerë të lidhur me pushtetin aty.

    Kolegji UBT ka një staf mësimdhënësish mjaft të madh. Para më pak se një javë, Qeveria ka dërguar në Kuvend emrat e dy anëtarë të Bordit për Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik -KRPP që më pas edhe u votuan. Bëhet fjalë për Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli. Propozimin e tyre në Kuvend e ka bërë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. E përzgjedhura, Fidane Spahija-Gjikolli rezulton të jetë vajza e një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, bëhet fjalë për aktivistin Hidaverid Spahija. Periskopi ka gjetur se Spahia -Gjikolli figuron si ligjëruese në kolegjin UBT.

    Para disa javësh, Qeveria ka dërguar në Kuvend edhe emrat për anëtarë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, të cilët më pas janë votuar. Njëri nga ta ka qenë edhe Bashkim Nurboja, i cili është edhe anëtar i LVV-së. Edhe Nurboja është ligjërues në kolegjin UBT.

    Periskopi ka gjetur se edhe një mësimdhënës i UBT është në garë për anëtarë të Bordit në një konkurs të hapur në një ndërmarrje publike, i cili tashmë e ka kaluar testin me shkrim.

    Pos që po merren “ekspert” nga UBT, Partia në pushtet ka të rehatuar aty disa pjesëtarë të vetë, apo familjarë të deputeteve.

    Alban Hyseni, kryetari i Gjilanit që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje është punësuar në UBT, si ligjërues në vitin 2020.

    Mirsad Shkreta, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka shkruar në formularin e pasurisë së vitit 2019 është punësuar si ligjërues në UBT dhe aty merr një pagë vjetore në vlerë prej  12, 257.00 euro.

    Mufail Salihaj, profesori i Bujqësisë në vitin 2019 i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Ai punon në UBT që nga viti 2020.

    Si ligjërues i punësuar në UBT, i punësuar që nga viti 2017, figuron edhe Luan Dalipi, i cili është bashkëshorti i deputetes së VV-së, Fitore Pacolli -Dalipi. Në deklarimin e pasurisë që deputetja Pacolli-Dalipi e ka të publikuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit nuk e ka shënuar se bashkëshorti përfiton pagë edhe nga UBT, po e ka shkruar vetëm vendin primar të punës që e ka në Korporatën Energjetike të Kosovës -KEK.

    Merita Barani, bashkëshortja e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla figuron si mësimdhënëse.

    Në marrëveshjen e nënshkruar të mërkurën kanë qenë prezentë katër persona, dy nga ministria dhe dy nga UBT.

    Në anën e ministrisë, Liburn Aliu që është ligjërues në kolegj dhe Rineta Jashari – shefe e stafit të kabinetit të Aliut e cila po ashtu është ligjëruese në këtë kolegj. Në anë tjetër, si përfaqësues të UBT-së, kanë qenë, punëdhënësi i Aliut i cili nënshkroi marrëveshjen për të marr punë nga Aliu, pronari i kolegjit që është edhe Rektor, Edmond Hajrizi.

    Përfaqësuesi tjetër i UBT’së në foto është një militant i Vetëvendosjes, Shqipërim Ahmeti.

    Lidhur më nënshkrimin e kësaj marrëveshje ka pasur reagime të shumta, derisa ministri Aliu ka njoftuar se një të tillë e ka nënshkruar pastaj edhe me Universitetin Publik “Hasan Prishtina”. /PERISKOPI/

    https://www.periskopi.com/historia-e-lidhjes-se-liburrn-aliut-me-ubtne-daton-qe-nga-puna-e-tij-si-drejtor-ne-prishtine/embed/#?secret=7IEyqcw3eE


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark