
Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme ka realizuar një operacion policor në lagjen e Boshnjakeve në Mitrovicën e Veriut.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Zëdhënës për media, Baki Kelani, beri të ditur se nga ky aksion nuk ka të arrestuar.
“Policia e Kosovës, në këtë rast departamenti i hetimeve ka realizuar një operacion policor në Mitrovicë, konkretisht në lagjen e Boshnjakëve. Gjatë këtij operacioni policorë është kryer bastisje në një lokacion”, tha ai.
Ndërkohë, që konfirmoi se dy personave iu është lënë ftesë për paraqitje në Policinë e Kosovës.
“Gjatë këtij operacioni policorë është kryer bastisje në një lokacion. Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa dy personave iu është lënë ftesë për paraqitje në Policinë e Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale”, tha ai.
Mëngjesin e sotëm një njësi patrulluese është sulmuar me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.
Sulmi i sotëm ndaj Policisë së Kosovës është vazhdimësi e disa sulmeve të ndodhura ditëve të fundit.