27 maj 2022- Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, me datën 26 maj,
VIMEA Baby Spa & Wellness organizoi sesionin ndërgjegjësues dhe informues “Si ta kalojmë
më lehtë depresionin pas lindjes?” me psikologun klinik Dr. Fitim Uka në qendër të VIMEA Baby
Spa & Wellness.
Depresioni tek gratë pas lindjes është fenomen më i shpeshtë se ç’mendohet, i cili shprehet në
formë të ankthit, emocioneve të pakontrollueshme, vështirësi në gjumë etj. Në lidhje me këtë
temë, psikologu klinik Dr. Fitim Uka shtjelloi faktin që depresioni në fakt prek të dy gjinitë, mirëpo
ai theksoi se prevalenca që meshkujt të preken nga depresioni është “2 % më e ulët, përderisa
prek çdo të 5-tën grua”. Sipas tij, depresioni pas lindjes është i pritshëm dhe në një mënyre e
logjikshme pasi që “gruaja kalon ndryshime të mëdha fiziologjike të cilat përkthehen edhe në
ndryshime të mënyrës së të menduarit”.
Gjatë sesionit ndërgjegjësues dhe informues, pjesëmarrësit patën mundësi të ndajnë përjetimet
e tyre dhe të shtrojnë pyetje sa i përket temës së depresionit pas lindjes. Gjë që për Dr. Fitim
Uka ky lloj i diskutimit në nivel të komunitetit do të bëntë depresionin pas lindjes më të
menagjueshëm, për shkak të njohurive që të afërmit tanë do marrin për këtë fenomen.
Të gjithë ne mund të mendojmë se depresioni nuk do na prek ne apo të afërmit tonë, duke
harruar se mundësia që mund të kalojmë këtë fazë është e lartë.
Mirëpo, gjatë sesionit informues u kuptua që ne edhe mund të kemi kaluar depresionin në vetmi pa e quajtur asnjëherë depresion. Andaj, informimi rreth depresionit është shumë i rëndësishëm në mënyrë
që të ndihmojmë veten dhe personat e afërm.
