
Drejtori i “AgroKosova Holding”, Bekim Krasniqi ka folur ekskluzivisht për Gazetën Insajderi lidhur me tentim-vrasjen që iu bë të premten e 24 majit.
Krasniqi ka thënë se po ndihet i pa sigurt të jetojnë në shtëpinë e tij, në fshatin Shirokë të Suharekës aty edhe ku u sulmua në orët e mbrëmjes.
Ai konfirmoi për Insajderin se ka kërkuar edhe mbrojtje nga organet e sigurisë por që nuk iu është ofruar.
“Unë nuk e ndjej vetën të sigurt me jetu në atë vend ku jetojë, sinqerisht po e them derisa ka atentate për me më vra mua, kush më garanton që nesër pasnesër nuk ka me më ndodh kurgjo. Unë edhe përmes imellit kam kërkuar prej Policisë me më ofru mbrojtje, ju thashë kështu është puna duhet një mbrojtje me na ofru mirëpo ajo çka është ofru prej anës së policisë së Kosovës ka qenë shpeshtimi i patrullimeve me i shpeshtu në atë zonë, por mbrojtje diçka pak më të afërt nuk kam marrë kurgjo prej tyre “, tha ai për Insajderin.
Drejtori i “AgroKosova Holding”, është shprehur i zhgënjyer me mënyrën e trajtimit të rastit të tij nga ana e Policisë së Kosovës. Për çka edhe jep detajet.
“Unë tanimë deklaratën e kam dorëzuar në Polici. Në fillim policia u silleshin në mënyrë interesante thoshin që jo nuk ka fakte jo ajo kjo. Ku po do fakte më shumë se plumbi dhe cilin drejtim ka ikur ai zotëria që ka dashtë me më vra”, u shpreh Krasniqi.
Ai thotë se të gjitha dëshmitë e nevojshme i ka dorëzuar në polici.
“Normal që unë i kam dyshimet e mija dhe i kam treguar Policisë dhe janë bashkëngjitur në raport, ata janë duke e kry punën e vet. I kanë marrë video-incizimet prej shtëpisë time që i kanë kamerat. I kanë marrë edhe video-incizimet e tjera në zonën industriale”, u shpreh ai.
Krasniqi në rrëfimin e tij për Gazetën Insajderi ka deklaruar se dëshmitë mund të shihen me sy, nga grithet që i janë shkaktuar murit të ballkonit nga shkrepja e plumbave.
Gazeta Insajderi ka siguruar edhe pamje nga vendi i ngjarjes ku ndodhi tentim-vrasja ndaj Krasniqit.
Për rastin tanimë Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetimet.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësja e prokurorisë, Fitore Mehmeti.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, ka autorizuar policinë për mbledhjen dhe grumbullimin e të dhënave lidhur me rastin konkret. Rrjedhimisht, rasti në fjalë është duke u trajtuar nga prokuroria, andaj për rrjedhën e mëtutjeshme të rastit do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Mehmeti për Insajderin.
Rasti i tentim-vrasjes në orët e mbrëmjes në Polici u raportua nga vet drejtori i “AgroKosova Holding”, Bekim Krasniqi.
Detaje për Insajderin dhanë edhe nga Policia e Kosovës.
“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Shirokë, të Komunës së Suharekës. Policia e Kosovës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po i kryen ekzaminimet e saj. Rastin e ka lajmëruar vetë drejtori i ndërmarrjes “AgroKosova Holding”, Bekim Krasniqi, ku ai sa kishte qenë në ballkonin e shtëpisë së tij, disa persona ende të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij”, kanë konfirmuar nga Policia.
Edhe në muajin prill në media është raportuar për kërcënime ndaj Bekim Krasniqit, drejtorit të kompanisë “AgroKosova Holding”.
Krasniqi u kërcënua në zyrën e tij nga disa të dyshuar, të cilët e kanë uzurpuar pronën, që i përket kësaj kompanie.
Sipas raportimeve rasti kishte ndodhur pasi që Krasniqi kishte ftuar të dyshuarit në zyrën e tij për të biseduar për 3 hektarë tokë që të njëjtit e kishin livruar, por që është pronë e “AgroKosova Holding”.
Në anën tjetër Indoks, prodhim i Gazetës Insajderi pati trajtuar pikërisht temën rreth udhëheqjes së kësaj kompanie, gjë që më pas, pas raportimit të InDoks shteti mori ndërmarrjen e “AgroKosova Holding” nga biznesmeni Haziz Tafaj.
Pas raportimit të emisionit “Mashtrimi i madh”, të InDoks i transmetuar në dhjetor të vitit që lamë pas, shteti i Kosovës ka vendosur që biznesmenit nga Suhareka, Haziz Tafajat të ia marrë ndërmarrjen “Agro Kosova”.
InDoks për të bëmat e Tafajt realizoi një hulumtim disa mujor, ekskluzivisht mori në intervistë edhe biznesmenin italian, Gianfranco Fantinel, që e e konsideronte vetën viktimë të Tafajt në procesin e privatizimit të AgroKosovës
/GazetaInsajderi