Vetëm gjashtë muaj kohë për të plotësuar kushtin e FIBA-s – Insajderi
×
  • Sport
  • Sport

    Vetëm gjashtë muaj kohë për të plotësuar kushtin e FIBA-s

    Insajderi
    03 February 2016 - 10:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pranimi i Kosovës në FIBA ua ka mundësuar përfaqësueseve të Kosovës në basketboll dhe klubeve të saj pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare. Në anën tjetër infrastruktura sportive në vend mbetet larg atyre që kërkohen nga shtëpia më e madhe e basketbollit ne botë, FIBA.

    Zyrtar të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe të Sportit dhe të Federatës së Basketbollit kanë konfirmuar për Insajderin se një palestër sportive do të jetë e gatshme për të pritur ndeshjet ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës në basketboll në shtator të këtij viti kur do të përballet me Ukrainën në Prishtinë, raporton Insajderi.

    Sekretari i Federatës së Basketbollit, Leart Hoxha, u shpreh i bindur që një nga palestrat kosovare do të jetë në kushtet optimale të presë ndeshje ndërkombëtare deri në shtator pasi siç sipas tij ekziston një bashkëpunim korrekt mes Federatës dhe MKRS-së, të cilët kanë shprehur vullnetin e plotë dhe gatishmërinë që palestra e Prishtinës të rinovohet.

    “Në saje të bashkëpunimit shumë të mirë dhe marrëdhënieve korrekte me MKRS, kemi siguruar përkrahjen e tyre që së paku një sallë ta rinovojmë dhe ta sjellim në standarde që kërkohen nga FIBA për semaforë, kosha, zhveshtore, VIP tribuna, ndriçim, zërim, press tribunë dhe anti doping dhomë dhe jemi të bindur që së paku Pallatin e Rinisë në Prishtinë do ta sjellim në këto standarde”, tha Hoxha  për Insajderin.

    Hoxha deklaroi se Federata do t’i bëjë gati kërkesat dhe do t’ia dërgojnë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    “Ne do ti dorëzojmë në MKRS kërkesat specifike deri më 10 shkurt dhe besoj që për 6 muaj ka kohë të mjaftueshme që Pallati i Rinisë të jetë gati”, tha Hoxha.

    Në MKRS premtojnë që këto kërkesa do të përkrahen.

    “Procedurat për renovimin e Palestrës së Prishtinës, janë duke ecur sipas dinamikës së paraparë dhe në kohë të duhur ajo do të jetë e gatshme për ndeshjet e Përfaqësueses së Kosovës në Basketboll”, tha Ndue Ukaj, zyrtar në MKRS.

    Kosova ndodhet në grupin E të fazës së grupeve të eleminatoreve për ‘EuroBasket 2017’, ne grup me të janë edhe Sllovenia, Ukraina dhe Bullgaria.

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark