
Veteranët protestues kanë tentuar të futen në Kuvendin e Kosovës, në protestën ku po shprehin pakënaqësinë e tyre me lënien jashtë nga projektligji për rritjen e pagës minimale. Por ata u ndaluan nga një kordon i policë u pozicionua menjëherë përpara objektit të kuvendit. Pati përplasje mes tyre, ndërkohë që disa veteran morëm lëndime nga gazi lotsjellës dhe një polic u gjakos gjatë përpjekjes për t`i ndaluar protestuesit
Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë thyer kordonin e policisë duke hyrë në oborrin e Kuvendit të Kosovës, derisa kanë qenë duke protestuar në sheshin në Prishtinë.
Para dyerve të këtij institucioni ka dalë Policia e Kosovës, të cilët edhe kanë hedhur gazlotsjellës në përpjekje për të mos i lënë protestuesit të futen brenda, si pasoj e të cilit disa veteran mbetën të lënduar, shkruan Gazeta Insajderi.
Gjatë protestës është lënduar një polic derisa mundohej të mbaj rendin në protestë. Menjëherë ka arritur edhe ambulanca për t`i dhënë ndihmën e parë policit që gjakosur nga protestuesit.
Afër protestuesve kanë arritur forca të shumta të Njësisë Speciale bashkë me autoblindë dhe topa të ujit. Forcat e shtuara kanë rrethuar objektet kryesore shtetërore Kuvendin, Presidencë e Qeverinë.
Ndërsa edhe deputeti i PDK-së, Hisen Berisha po merr pjesë në protestën e veteranëve të UÇK-së, aty ku situata duket se ka eskaluar, shkruan Insajderi.
Ish-komandanti i UÇK-së u ka bërë thirrje protestueseve që të qetësohen. “Qetësohuni, nuk ka nevojë me dëmtu kurgjo, asnjë pemë”, u shpreh ai derisa theksoi se krejt lirinë e solli UÇK e që policia është e Kosovës për të cilën luftuan.
“Këta policë që po na ruajnë sot, i kemi bë ne me luftë”, u shpreh mes tjerash Berisha.
Kjo protest e mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është duke u mbajtur në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e veteranëve në rritjen e pagës minimale.
Pensioni i veteranëve është i njëjtë me pagën minimale në Kosovë, por në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të kësaj page, nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.
Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, do të diskutohet të hënën në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ai është miratuar nga Qeveria e Kosovës në prill të këtij viti.
Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.
Vlera e pagës minimale në Kosovë nuk ka ndryshuar nga viti 2011. /Gazeta Insajderi