Kur do të dërgohet mostra e të dyshuarit me Lijë të Majmunit në Holandë? – Flasin nga IKSHPK për Insajderin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kur do të dërgohet mostra e të dyshuarit me Lijë të Majmunit në Holandë? – Flasin nga IKSHPK për Insajderin

    Insajderi
    06 June 2022 - 15:11
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Të premten, Ministra e Shëndetësisë përkatësisht Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, njoftoi se një rast i dyshimtë me Lijë të Majmunit (Monkeypox) është duke u trajtuar në QKUK.

    Bëhet fjalë për një 69 vjeçar nga Komuna e Dragashit, e ku u tha se mostra e dyshuar pritet të dërgohet për në Holandë.

    Për të kuptuar se kur do të dërgohet mostra jashtë vendit, Gazeta Insajderi ka kontaktuar Xhevat Jakupin, shef i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKShPK.

    Jakupi konfirmoi për Gazetën Insajderi se mostra nesër do të niset për në Holandë.

    “Është organizuar transporti i mostrave nga pacienti i dyshimtë me infeksion me MNKPOX për të martën me 07.06.2022, me ndihmën e zyrës së OBSH-së në Prishtinë”, tha Jakupi.

    I pyetur se kur potencialisht do të mund të pranojnë rezultatin, Jakupi u shpreh se “Nuk ka informatë ende se kur pranohen rezultatet por pritet të jetë për 24-48 orë nga momenti i pranimit në laborator i mostrave të dërguara“.

    Detaje për gjendje shëndetësore të të dyshuarit me Lijën e Majmunit për Gazetën Insajderi, ka dhënë edhe Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive në QKUK.

    Dyshohet ka Lijën e majmunit – Drejtori i Infektives tregon se si është me shëndet 69 vjeçari nga Dragashi

    “Gjendja e pacientit është dukshëm më e mirë. I njëjti ka pasur ndryshime në lëkurë, në shuplaka të duarve si dhe në qafë. Ai po vazhdon të qëndrojë i izoluar edhe me familjarët po kontakton rregullisht vetëm përmes telefonit”, tha Vishaj për Gazetën Insajderi.

    I pyetur nëse ka dyshimet për ndonjë rast të ri, Vishaj u shpreh se gjithçka është nën kontroll dhe se nuk ka dyshimet për ndonjë rast të ri.

    Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht, Instituti Kombëtar Shëndetësisë Publike të Kosovës, me datë 03 qershor 2022 në ora 17:41, nga Klinika Infektive, QKUK, ka pranuar një raportim për një rast të dyshimtë në Lijën e majmunëve (Monkeypox).

    Siç bëhet me dije nga komunikata, pacienti është mashkull, i lindur më 1953 nga komuna e Dragashit.

    “I njëjti është i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK me datën 03/06/2022 dhe i është marrë mostër nga ndryshimi lëkuror dhe do të dërgohet për analiza laboratorike. Gjendja e pacientit është stabile”, thuhej në njoftimin e së premtes.

    Ndërkohë, u potencua se po vazhdon mbikëqyrja epidemiologjike e pacientit dhe gjurmimi i kontakteve.

    “Mostra do të dërgohet në laboratorin referent të OBSh në Hollandë, presim edhe rezultatet laboratorike deri në diagnozën përfundimtare sipas kritereve të parapara. Pacienti është në izolim, i hospitalizuar në Klinikën Infektive, QKUK”.

    Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK, njoftoi qytetarët e Kosovës, se për çdo informatë të re, opinioni publik do të informohet në kohë reale, dhe se situata tani për tani është e qetë dhe stabile.

    /GazetaInsajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark