
“Ajo ka të thyera unazat e qafës, shpinës dhe eshtrat”, kështu tha për Insajderin dje mjeku, Sami Bajqinca. Përkundër kësaj 30 vjeçarja ka vendosur që të mos trajtohet më. Ajo qysh dje është larguar nga hapësirat e QKUK.
Kështu konfirmuan për Insajderin nga Klinika Emergjente e QKUK-së.
“E njëjta nuk ndodhet më në QKUK. Dje me vetëdëshirë është larguar nga Klinika”, kanë thënë nga Emergjenca për Gazetën Insajderi.
Sami Bajqinca – mjek në QKUK dje, tregoi detajisht për gjendjen e saj duke thënë se pacientja rrezikon të paralizohet për shkak të këtyre lëndimeve.
“Ka lëndime serioze, ka marrur lëndime në palcën kurrizore, ka të thyera unazat e shpines, qafës, eshtra. Gjendja stabile, por pasojat mund të ndjehen më vonë sepse ka rrezik që të mbetet e paralizuar”, tha ai për Insajderin.
Përveç 30 vjeçares së lënduar, rënia e lisit ishte fatale për një 30 vjeçar nga Komuna e Podujevës. Atij sot iu dha lamtumira e fundit.