
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se mund të largohet nga Qeveria e Kosovës në qoftë se ekzekutivi nuk i jep prioritet investimeve në sektorin e shëndetësisë.
Ministri Latifi, gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi tha se nuk do ta kishte pranuar pozitën e ministrit në rast se nuk do t’i premtohej mbështetje të madhe.
“Nëse kisha mendu që kjo qeveri nuk e ka prioritet shëndetësinë, unë sot nuk do të isha këtu”.
Por, ai paraljmëron nëse injorohet nga Qeveria mund të japë dorëheqje.
“Nëse shpërfillem nga qeveria, unë nuk e kam asnjë biznis me ndejtë këtu. Por, unë nuk e kam këtë ndjenjë”, tha Latifi.
Ministri Latifi tha se ka në plan që shumë shpejt të ndryshojë edhe funksionimi i Qendrës Klinike Universitare.
Sipas tij, do të caktohet udhëheqësia e QKUK-së.
“Dikasteri i shëndetësisë është injoruar tash e disa vite. Unë e kam shumë të paqartë se ne e kemi një qendër, QKUK-në, e cila jep shërbime terciare, dytësore e besa herë-herë edhe shërbime parësore, megjithatë ajo nuk ka udhëheqësi fare”, tha Latifi para deputetëtve.
Duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për aktivitetet e menaxhimit në sektorin e shëndetësisë dhe aktualitetet e zhvillimeve të fundit në shëndetësinë e vendit, Latifi ka thënë se prioritet po i japin infrastrukturës spitalore dhe procesit të akreditimit të spitaleve.
“Ata që punojnë në kujdesin parësor kjo ministri do t’i kushtoj kujdesin më të madh të mundshëm. 6 muaj kemi qenë të ngarkuar më shumë punë. Po punojnë në shumë rrugë në çështjen e legjislacionit që i kemi 6 ligje”.
“Ne nuk kemi mundësi të krijojmë qendrën e traumës sepse është shërbimi i emergjencës. Po merremi me legjislacionin dhe mirëqenien e mjekëve. Neve na duhet të fillojmë procesin e akreditimit të spitaleve. Po punojmë edhe ndërtimin e infrastrukturës. Ne kemi obligim me u marr me shëndetësi dhe se kjo qeveri e ka bërë prioritet”, tha ai.