
Gazetari dhe publicisti Mero Baze, ka reaguar pas fotos së publikuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga takimi që u zhvillua dje në Selanik mes liderëve të 12 shteteve.
Në foton e publikuar nga Osmani vërehet një distancë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe një pjesë e tij është ‘prerë’.
Baze ka ironizuar duke thënë se është mirë ta shikojmë Vjosën si një vajzë Instagrami.
“Nuk mendoj se Vjosa Osmani ka bërë ndonjë dëm ndaj Shqipërisë me gjestin e saj si vajzë instagrami. Nuk është ndonjë mëkat i madh që e ka prerë Edi Ramën dhe ka lënë Vuçiqin me të tjerë”.
Baze shkruan se Osmani e ka bërë me shumë vetëdije këtë veprim, “se nuk e duron dot Ramën”, por thekson se askush nuk u mërzit për këtë.
Për të problemi i gjithë kësaj qëndron te gëzimi që ka ngjallur tek i gjithë enturazhi Qeveritar i Kosovës ky gjest.
Mjafton të sjellim në vëmendje veprimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili shpërndau të njëjtën foto por nga postimi i një qytetari, i cili e etiketonte Ramën si “pro-serb”.
“Shpërthimi i urrejtjes ndaj kryeministrit të Shqipërisë, nga mbështetësit e saj dhe të Albinit, është një problem që dëmton Kosovën dhe jo Shqipërinë apo Edi Ramën”, shkruan Baze.
Ai ravijëzon se, veprimi i presidentes dëmton Kosovën.
Pasi në vend të prodhoheshin lajme për prioritetin kryesor të “Kancelarit Shultz për Kosovën, që është paqja afatgjate me Serbinë, portalet u mbushën me lajme për prioritetin kryesor të Vjosa Osmanit që është nxitja e urrejtjes ndaj Edi Ramës dhe Shqipërisë”.
Për gazetarin, kjo e bën joserioze gjithë situatën, pasi Perëndimi është i shqetësuar për armiqësinë e Kosovës me Serbinë dhe zbulon se prioritet është armiqësia e njerëzve në pushtet në Kosovë me Shqipërinë.
“Tani merreni me mend nëse sekretarja e Kancelarit Shultz, nesër në mëngjes i çon reagimet e shtypit për darkën në Selanik dhe do të rreshtoj si ngjarje kryesore që Vjosa Osmani e paska prerë nga foton e Edi Ramës në krah të saj”, shkruan ai.
Baze thekson se ky është dëmi që ka “bërë Vjosa”, e cila sipas tij ss e ka fyer Edi Ramën, as Shqipërinë, dhe as ka shkaktuar ndonjë shqetësim këtej kufirit. Maksimumi ka nxit ndonjë batutë.
“Pushtetin e Kosovës e ka bërë qesharak, pasi ka treguar që ata që e drejtojnë sot Kosovën, në rastin më të mirë më shfajësues, siç unë dua të jem në anën e Vjosës këtë radhë, na tregon që ka Presidente një vajzë që kujdeset të dal mirë në foto me njerëz të rëndësishëm dhe të tjerë ti heq se i prishin foton”.
Publicisti sugjeron që kjo të shihet si diçka njerëzore, pra si “një njeri që ka qenë i frustruar nga fiziku i vet dhe jo si një njeri që është e frustruar nga kryeministri i Shqipërisë”.
“Është mirë ta paraqesim Vjosën në këtë rast si vajzë instagrami dhe jo si njeri që urren Shqipërinë. Së paku me versionin e parë na shkakton humor, edhe pse e dimë të vërtetën”, përfundon ai opinionin e tij.