
Njëzet e pesë persona janë trajtuar për djegie në Zvicrën veriore, pasi kanë ecur nëpër qymyr të nxehtë, si pjesë e një ushtrimi për ndërtimin e një ekipi.
Trembëdhjetë nga ta janë dërguar në spital dhe po trajtohen për lëndime më të rënda, pas incidentit në mbrëmjen e së martës, shkruan BBC-ja të mërkurën.
Rreth 10 ambulanca kanë arritur me shpejtësi në vendngjarje për t’i trajtuar të lënduarit.
Sipas të dhënave zyrtare, grupi ka bërë ecje mbi një shtrat të mbushur me qymyr, derisa dhimbjet e tyre kanë nisur pak pasi kishin nisur të ecnin.
Nuk është ende e qartë nëse kishte një problem me vendosjen e thëngjillit ose me mënyrën se si grupi eci mbi të. Po ashtu nuk u bë e ditur për çfarë ekipi bëhet fjalë.
Zyrtarët kanë hapur një hetim dhe kanë marrë prova nga vendi, i cili është në gadishullin Au në jug të qytetit të Cyrihut.
Ecja nëpër një shtrat me thëngjill të nxehtë, shpesh i njohur si ecja në zjarr, shpesh përdoret në kurse motivuese dhe ngjarje bamirësie.
Ajo përfshin ecjen zbathur mbi një shtrat me prush të nxehtë. Përdoret gjithashtu në shumë pjesë të botës si një ritual i zakonshëm.