
Merr përmasa të tjera historia e abuzimit me ligjin për investitorët strategjikë, ligj i cili po përdoret për të grabitur pronat publike dhe pastruar paratë e pista.
Nga verifikimet që ka kryer Prapaskena rezulton se një kompani në pronësi të 5 personazheve, tre prej tyre të dyshimtë dhe një i ekspozuar në histori korrupsioni, ka marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria për të ndërtuar një hotel me 5 yje në Durrës, me vlerë investimi miliona euro.
Bëhet fjalë për kompaninë Mediterranean Investment Group, e themeluar në shtator të vitit 2020, me kapital 86 milionë lekë, me adresë në një hotel në Durrës.
Kompanai e shpallur investitor strategjik është në pronësi të Bledar Tivatit, pronar ekspozuar me një përqindje modeste dhe pa historik biznesi, si dhe në pronësi të 4 kompanive si: Etitur, Daktur, Restur dhe LANDWAYS INTERNATIONAL.
Pas kompanisë që pretendon se po sjell një brand ndërkombëtar si IHG Hotels & Resorts, qëndrojnë ish punonjësi i ujësjellësit Ervin Tivari pronar i kompanisë Etitur me 100 lelë kapitali, Selim Molla pas kompanisë Restur me 100 lekë kapital, Dritan Kadiu pronar i kompanisë Daktur dhe Gazmend Haxhia pronar i LANDWAYS INTERNATIONAL.
Haxhia është një personazh i lakuar për tendera korruptivë nga Mirela Kumbaro dhe për aktivitete të tjera të dyshimta.
Katër personat që fshihen pas 4 kompanive me emra të çuditshëm, kanë kontribuar me nga 200-230 mijë USD në kompaninë Mediterranean Investment Group që pretendon se do të ndërtojë hotelin me 5 yje.
Përpos Kadiut dhe Gazmend Haxhisë, i cili është aksioner në rreth 8 kompani dhe ka një histori biznesi, edhe si bashkëpronar i Universitetit Polis, tre personat e tjerë janë abonimë në biznes dhe kanë themeluar disa kompani fantazëm me kapital 100 lekë.
Kompanitë janë themeluar që të gjitha në 2020 dhe nuk kanë të dokumentuar aktivitet, gjë që ngre shumë dyshime mbi këtë investim.