
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi ka kërkuar nga Ministria e Mjedisit ta shqyrtojë për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës ” The Sunny Hill”.
Në letrën që e ka siguruar Gazeta Insajderi shihet se ministria e Liburn Aliut ka konstatuar se nuk ka kompetencë lëndore për shqyrtimin e këtij akti komunal.
“Andaj, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas shqyrtimit të përmbajtjes dhe natyrës së çështjes të cilën e rregullon Vendimi Nr.01-463/01-104027/22 për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës ” THE SUNNY HILL ” SHPK, nuk ka kompetencë lëndore për shqyrtimin e këtij akti komunal, pasi që asnjë dispozitë ligjore e legjislacionit në fuqi nga fusha e MMPHI, nuk rregullon çështjen e dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të pronës së komunës”, thuhet në letrën që Aliu i ka dërguar Ramës.
Kompetenca lëndore lidhur me këtë rast është e përcaktuar me Ligjin Nr.06/L-092 për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Letrën me të cilën ministri Aliu iu është drejtuar kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama shihet se është protokolluar me 15.06.2022 nga MAPL.
Për shkak të këtyre zvarritjeve tanimë festivali “Sunny Hill” është vendosur të mbahet në Tiranë.
Sot Përparim Rama përmes një konference për media premtoi se Sunny Hill do të mbahet në Prishtinë nga viti i ardhshëm e tutje, shkruan Insajderi.
Rama shtoi se ka bërë të pa mundurën që ky festival edhe për këtë vit të mbahej në Prishtinë.
“Ne kemi bërë çdo gjë të mundur që me mbajte festivalin këtu edhe po e them edhe tash e tutje për çfarëdo arsye, këtë vit veç është marrë vendimi të mbahet në Tiranë mirëpo nga viti i ardhshëm e tutje do të jetë në Prishtinë përherë”, u shpreh Rama.
Sipas Ramës fajtore për mosmbajtjen e Sunny Hillit është Qeveria.
“Është kryekëput faji i qeverisë së Kosovës që festivali u zhvendos në Tiranë”, u shpreh ai.
/GazetaInsajderi
Lexo edhe: