Mungojnë arka me banane në portin e Durrësit. Majmuni Kiko merret sërish në pyetje - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Mungojnë arka me banane në portin e Durrësit. Majmuni Kiko merret sërish në pyetje

    Insajderi
    17 July 2022 - 21:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas lajmit se në kontenierin me banane në Durrës mungonin disa arka me banane, majmuni Kiko që u bë i famshëm sepse rrahu tre policë dhe një turist grek u thirr sot me ngut në Prokurori si i dyshuar kryesor në trafikun ndërkombëtar të kokainës.
    – Ne i dimë të gjitha. Të kemi thirrur për të të dhënë mundësinë të thuash atë që ti di rreth trafikut ndërkombëtar të kokainës.
    – Çfarë pune kam unë me kokainën?
    – Në bisedën e kaluar më thatë se keni ardhur në Shqipëri se ju pëlqejnë bananet dhe ndjenjën që të japin bananet këtu nuk e gjen në asnjë vend të BE-së dhe madje as në vendet aspirante për në BE.
    – Të vërtetën kam thënë.
    – Ke qenë ndonjë herë në Portin e Durrësit.
    – Jo.
    – Arsyeja?
    -Më kanë thënë se porti dhe qyteti kontrollohen nga mafia.
    – Ashtu. A mund të jesh me specifik?
    – Jo, sepse kam ndërmend të jetoj më gjatë.
    – Shqipëria është nga vendet më të sigurta në botë.
    – E kam lexuar. Prirem të besoj atë që lexoj, por sikundër e dini u bë 5 vjet që jetoj këtu. Unë, siç thoni ju shqiptarët, i kam sytë në ballë. Në fakt sytë nuk i kam në ballë, sytë ashtu si ju i kam në fytyrë, por ju betoheni për sytë e ballit…
    – Pse përpiqeni të dredhoni? Ne mund të japim statusin e dëshmitarit të penduar.
    – Nuk plotësoj kriteret. Nuk kam bërë asnjë krim. Për çfarë të pendohem?
    – Për shembull mund të pendohesh pse ke ardhur në këtë vend? Pse ke lindur? Pse të pëlqejnë bananet? etj etj.
    – Zoti Prokuror pse nuk më bëni pyetje konkrete që edhe unë të përgjigjem konkretisht.
    – Sot në portin e Durrësit, në ngarkesën e ardhur me banane mungojnë disa arka.
    – Po më akuzoni se i kam vjedhur unë?!
    – Jo, por kemi dëshmitarë që sot je parë që në mëngjes me disa banane në duar. Dhe sot ke qenë veçanërisht i lumtur! Ç’më kaq i lumtur në këtë zheg vape?
    – Ngaqë janë hapur negociatat…
    – Po bananet në duar?
    – Zoti Prokuror është e vërtetë se bananet kanë qenë në dorën time, por jam gati të vë dorën në bibël, kuran, torah, kushtetutë, statutin e PD-së të rithemeluar dhe kudo të duash ti: bananet i kam patur në dorë, por arkat kanë ikur tjetër kund! Pastaj unë kam alegji nga “pluhuri llokumeve”!
    – Ku e ke dëgjuar këtë “pluhur llokumesh”?
    -Më kanë thënë se u hidhet bananeve që të mos prishen gjatë transportit.
    – A mund të jesh më konkret?
    – Për këtë pyesni më mirë qentë e kufirit të portit. Ata shquhen dhe paguhen për nuhatje, unë jam thjesht një bananengrënës.
    – Tani do të na tregosh ne se kë duhet të pyesim?
    – Nëse më lejoni i nderuar kush tjetër ka nderin të përgjigjet sot para jush përveç meje?
    – Janë punëtorët e ngarkim – shkarkimit dhe shoferi.
    – Domethënë, unë majmuni Kiko, punëtori dhe shoferi. Pra dy brekëgrisur dhe një pa brekë si puna ime?!!! Po shefi i sigurisë së portit? Përgjegjësi i turnit? Pronarët e kompanisë porositëse? A i keni marrë provat shkresore?
    -Çfarë do të thuash o majmun?
    – Në intervistën e parë të thashë që një nga arsyet e rrahjes së turistit grek ishte se grekët thonë se kanë ardhur në këto troje para nesh majmunëve. Por duke ju referuar grekut të lashtë Sokrat, që mësonte duke bërë pyetje; pra metodës sokratike, do të bëja disa pyetje pasi të merrja procesverbalin e mbërritjes së kontenierit.
    1. A ka dëmtim të jashtëm të kontenierit, të plumbçeve?
    2. Kontenieret survejohen 24/7 me kamera. Të kqyren kamerat kush i është afruar kontenierit dhe kush ka ndërhyrë?
    3. A kanë punuar kamerat? Nëse jo, pse?
    4. Sa ditë ka kontenieri në port? Të kqyren telefonatat e pronarit dhe administratorit të firmës së bananeve.
    5. Sa ka qenë koha nga dalja e kontenierëve (nga vendi ku kontenieret qëndrojnë të rrethuar me roje dhe kamera) deri te skaneri?
    6. Kush dhe me çfarë mjeti u transportua kontenieri deri te skaneri?
    7. Sa është totali i arkave dhe sa arka mungojnë?
    8. A janë marrë të gjitha gjurmët e gishtave në sipërfaqen e arritshme të kontenierit?
    9. A janë marrë në konsideratë ngjashmëritë me rastet e tjera në portin e Durrësit?
    10…
    – More majmun do të heqësh dorë nga përpjekja për të devijuar hetimet? Do t’i lësh mënjanë këto majmunllëqe?! Ti?! Ti do të më mësosh mua se si bëhen hetimet? E di ti se kë ke përballë?
    -Prokurorin!
    -Jo nuk ke përballë prokuror sidokudo po prokurorin që ka kaluar vettingun!


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark