“BANA KING” e la kontejnerin 8 ditë në Portin e Durrësit, a kishte dijeni pronari për ngarkesën me kokainë? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “BANA KING” e la kontejnerin 8 ditë në Portin e Durrësit, a kishte dijeni pronari për ngarkesën me kokainë?

    Insajderi
    18 July 2022 - 16:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një sasi e madhe kokaine dyshohet se ka ardhur në Portin e Durrësit në Shqipëri nga Ekuadori, e kamufluar brenda një ngarkese me banane. Kontejneri ishte i kompanisë “Bana King” në pronësi të biznesmenit Trifon Murataj, i cili aktualisht jeton në SHBA.

    Policia e Shtetit ka arrestuar disa persona, kryesisht punonjës të sigurisë private në Portin e Durrësit, pasi ka dyshime se sasia e drogës ka ardhur nga Ekuadori mes bananeve dhe është hequr teksa ngarkesa qëndronte në radë.

    Prej 8 ditësh kontejneri kishte mbërritur por nuk futej në skaner sepse nuk ishin paraqitur porositësit. Kjo ka shtuar dyshimet e grupit të hetimit, se përse përfaqësuesit e “Bana King” nuk kishin shkuar të tërhiqnin ngarkesën me banane, kur fare mirë dihet se ky frut ekzotik prishet lehtësisht.

    A e dinte pronari Trifon Murataj apo përfaqësues të tjerë të kompanisë se çfarë kishte brenda kontejnerit? Duke qenë se ky është rasti i dytë që zyrtarisht në ngarkesën e kësaj kompanie kapet drogë, a u la qëllimisht për 8 ditë ngarkesa në sheshin e përpunimit të kontejnerëve?

    Pas më shumë se një jave qëndrimi në radën e Portit të Durrësit, punonjësit e firmës së bananeve kanë shkuar për të bërë zhdoganimin e mallit, por aty është konstatuar se kontejneri ishte i paplumbosur, shkruan newsbomb.al. Pra, ishte hapur para se të dilte në skaner dhe mungonin 49 arka.


    Të gjithë kontejnerët kanë vulosjen me plumb si dhe numrin përkatës serial, por kontejneri i “Bana King” nuk i kishte këto elementë të sigurisë. E teksa ka qëndruar në pritje të zhdoganimit, autorët kanë arritur të heqin prej kontejnerit plot 49 kuti, të dyshuara me një sasi të madhe kokaine.

    Kujtojmë se, në dhjetor të vitit të kaluar në kontejnerin e “Bana King” autorët morën një pjesë të kokainës por nuk arritën ta transportojnë të gjithën duke lënë pas 7 arka me 119 kilogramë kokainë. Nëse një arkë mban 17 kg kokainë, në 49 arkat që mungonin në Durrës mund të ketë pasur deri në 833 kg kokainë.

    Policia e Durrësit vazhdon të mbajë të arrestuar plot 20 persona, 18 prej të cilëve janë punonjës së doganës. Kjo ka shkaktuar edhe paralizimin thuajse të plotë të punës në portin më të madh të vendit. Dy personat e tjerë të arrestuar janë shoferi që priste kontejnerin dhe një punonjës i kompanisë.

    Vlen të theksojmë se sheshi portual ku depozitohen kontejnerët para se të nisë procesi i zhdoganimit është i monitoruar me kamera. Për këtë kontejner raportohet se policia ka pasur dyshime dhe e ka mbajtur nën vëzhgim prej disa ditësh, por trafikantët janë treguar më të shpejtë duke e hequr drogën përpara se të kalonte në skaner.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark