Njihuni me gruan që jeton me 15 mace, e cila përkundër vështirësive dhe dëbimit nga shtëpia nuk heq dorë nga to - Insajderi
×
Insajderi

Njihuni me gruan që jeton me 15 mace, e cila përkundër vështirësive dhe dëbimit nga shtëpia nuk heq dorë nga to

Insajderi
19 August 2022 - 14:09
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Megjithëse është e papunë dhe vendin ku është duke jetuar momentalisht me qira nuk e ka shumë të sigurt, pasi çdo ditë rrezikohet që të dëbohet nga pronarja, ajo vazhdon të kujdeset për 15 mace të rrugës. Para pak kohe ajo ishte dëbuar nga një shtëpi ku banonte në Vushtrri. Merita Krasniqi në një intervistë për Gazetën Insajderi, ka rrëfyer për kujdesin dhe dashurinë që ua jep maceve, por edhe qenve të rrugës, ani pse thotë se po përballet me vështirësi të ndryshme.

Merita Krasniqi, gruaja nga Mitrovica deri para pak kohe ka jetuar me 30 mace. Mirëpo në pamundësi për t’u kujdesur për to, gjysmën e tyre i ka dhënë për adoptim, pra 15 prej tyre. Ndërsa, personat që i adoptuan ato kanë bërë kontratë, duke i siguruar asaj se do të përkujdesen për macet.

“Po i jepi për adoptim, me kontratë ku i kanë të përfshime krejt obligimet ndaj tyre”, thotë ajo në një Intervistë për Gazetën Insajderi.

Në vitin 2019, Merita është kthyer në Kosovë nga Suedia. Dhe siç ka pohuar ajo, kur i ka parë vështirësitë e kafshëve në Kosovë, e sidomos macet, ka vendosur që t’i ndihmojë dhe të kujdeset për to.

Më parë Merita ka jetuar në Vushtrri, mirëpo për shkak të maceve që i ka mbajtë në shtëpi, pronari e ka dëbuar. Mandej ajo është zhvendosur në Mitrovicë, mirëpo edhe këtu po i rrezikohet jetesa, pasi që pronares së shtëpisë ku po jeton, po i pengojnë kafshët.

Për dashurinë, kujdesin dhe vështirësitë e të jetuarit momentalisht me 15 mace, vjen me një rrëfim për Gazetën Insajderi, Merita Krasniqi.

Insajderi: Sa mace i keni pasur dhe sa i keni tani?

Merita Krasniqi: Kam pasur afër 50 mace, të gjitha të shpëtuara nga rruga. Kurse tash i kam 15 mace.

Insajderi: Si ka ardhë e gjithë kjo dashuri e juaja ndaj maceve që t’i ndihmoni ato?

Merita Krasniqi: Dashuri ndaj maceve po edhe ndaj kafshëve tjera, e kam prej që kam lind. Për me ju ndihmu më ka ardhë prej vitit 2019 kur jam kthy nga Suedia në Kosovë, tu e pa sa hjekin kafshët këtu e kam shprehë vullnetin, që sa do pak me ju ndihmu. Edhe pse kisha pas qef me ju ndihmu edhe më shumë po shteti nuk është duke më perkrahë absolut.

Insajderi: A ju ka paraqitë ndonjëherë problem mbajtja dhe kujdesi ndaj tyre?

Merita Krasniqi: Po më ka paraqitë shumë probleme kujdesi ndaj tyne. Qe pronari i shtëpisë ku kam jetu në Vushtrri më ka largu nga shpija në muajin shkurt me afër 40 mace, për të cilat fatmirsisht më kanë ndihmuar edhe individët e grupeve me adoptime. Po ashtu jam divorcuar prej burrit. Tash jetoj në Mitrovicë po prap po rrezikohna me mbetë pa shtëpi se pronares po i pengojnë kafshët.

Insajderi: Duke e pa rritjen e çmimeve, sa po e keni të vështirë që të kujdeseni për to?

Merita Krasniqi: Po e kam shumë të vështirë se jam pa punë. Po me ndihmën e dashamirve për kafshë qe më ndihmojnë herë pas herë edhe me një donacion të një organizate ndërkombëtare që merret me mbrojtjen e kafshëve SPCA. Po ky grant hargjohet kështu që nevojitet ndihmë çdo herë duke e pas parasyshë gjendjen e numrin e madh të macave në rrugë po edhe të qenëve.

Duhet edhe shteti me sjellë ligje të cilat i obligojnë pronarët, si të maceve ashtu edhe të qenve t’i sterilizojnë e kastrojnë.

Në mënyrë që sado pak të zvoglohet numri i tyre në rrugë. Po edhe të bëjnë plan në veprim të maceve edhe qenve që veç janë në rrugë.

Insajderi: A ka ndiku edhe rritja e çmimeve që të mos i mbani më shumë se 30 mace?

Merita Krasniqi: Po ka ndikuar shumë, po prap kur shoh mace në rrugë të lëndume ose kotele pa nanë nuk hezitoj i marrë, kujdesna për to e mundohem me ju gjetë familje të pershtatshme që i adaptojnë në bazë të kontratave masi jemi edhe OJQ e quajtur “Macet e Meritës apo Merita’s Cats” me procedura të rregullta.

Insajderi: A jeni paragjykuar apo thënë me ndryshe ofenduar nga rrethi për shkak të kujdesit dhe dashurisë qe ua ofroni maceve të rrugës?

Merita Krasniqi: Po paragjykime edhe ofendime gjithë kam pas, edhe nuk nalen po mu ajo as pak nuk më lenë për shtypje se kush çka më thotë e as nuk nalna deri në frymën e fundit të jetës me ju ndihmu kafshëve të rrugës.

Insajderi: Si ja keni arrit që të kujdeseni për to financiarisht, a u është ofruar ndihmë nga ndokush për kujdesin e tyre?

Merita Krasniqi: Ndihmë për kujdesin e tyre veç do individ nëpër grupe të dashamirëve të kafshëve edhe një grant që e kemi fitu prej organizatës ndërkombtare SPCA se askush tjetër nuk më ka ndihmuar as shteti e as komuna. Me forca të mija e të dashamirëve të kafshëve po mundohemi me ju dalë në ndihmë macave po ashtu edhe qenëve.

Insajderi: A e keni menduar ndonjëherë që të mos kujdeseni për to më dhe t’i dhuroni të gjitha per adoptim?

Merita Krasniqi: Jo nuk e kam menduar as njëherë që mos të kujdesem për to e mos të ju ndihmojë. Kam me vazhdu gjithë më ju ndihmu e me u kujdesë per to. Unë edhe ashtu i kam dy mace të rrugës por që janë me probleme shëndetësore “Skypin” dhe “Gingerin” e që janë pikë e dopët e imja. Po tjera maceve nëse ju gjejë familje që i adoptojnë e kujdesen për to, po i jepi për adoptim, me kontratë ku e kanë të përfshime krejt obligimet ndaj tyre.

Me pas mundësi e kushte kurrë as një mace nuk ja kisha dhënë askujt po i kisha mbajtë vet edhe shumë më shumë ju kisha ndihmuar kafshëve, po mundësi më shumë nuk kam pos kaq. Jam edhe vet pa punë e me qera jetojë ku për çdo dië rrezikohna me më largu pronarja.

E mirë kish me qenë që shteti e komuna me hap një strehimore për maca po ishalla në të ardhmen shpresoj që edhe për këto mendon hala dikush përpos meje e stafit tim të OJQS, “Macet e Meritës apo Merita’s Cats” që janë, Njomza Pallaska, Valone Pllana dhe Erza Mustafa.

Normal edhe tjerë dashamirë të kafshëve që aq sa kanë mundësi më ndihmojnë me ushqim, zallë, veterinar, vaksina, sterilizime, kastrime.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark