
Avokati Sokol Tahiri reagon pas lajmit të publikuar në disa media në Kosovë dhe në Shqipëri, bazuar në pretendimin e biznesmenit Fadil Syla se ai i kishte kërkuar 500 mijë euro rryshfet. Ky shtetas, është deportuar nga Shqipëria dhe po hetohet për pastrim parash.
Biznesmeni në fjalë ka dhënë disa intervista për mediat e Kosovës dhe ka akuzuar avokatin Sokol Tahiri se i ka kërkuar rryshfet për pronën dhe për t’i hequr ndalesën për të hyrë në vendin tonë.
Mirëpo, në një reagim ekskluziv për newsbomb.al, avokati Sokol Tahiri është shprehur se të gjitha deklaratat që ka bërë biznesmeni kosovar janë shpifje dhe nuk kanë asnjë bazë faktike. Tahiri po ashtu ka thënë se çështja është aktualisht në dy gjykata në Shqipëri.
“Çështja është në proces gjyqësor dhe ne kemi kërkuar pavlefshmëri kontrate. Syla pretendon se ka marrë aksionet, por ai ka blerë vetëm një pjesë që kap shifrën e 500,000 eurove sepse shuma totale e objektit (hotelit) kap vlerën e 2 milionë eurove”, është shprehur avokati Tahiri.
Ai mohoi kategorikisht t’i ketë kërkuar rryfshet shtetasit Fadil Syla, i cili rezulton se ka blerë një pjesë të aksioneve të hotel “Princ” në zonën e Malit të Robit. Sipas avokatit, çështja është në gjykatë pasi dy biznesmenët që kishin pronën para problemeve me bankën, Ziadin Uka dhe Lulzim Bajrami kanë hapur gjyq.
Aktualisht, një gjyq është hapur në Gjykatën e Kavajës për shpalljen e pavlefshmërisë së kontratës së shit-blerjes dhe fitimin e munguar. Po ashtu, një gjyq i dytë është hapur në Gjykatën e Lartë për këtë çështje, shkruan newsbomb.al.
Në këto kushte thotë zoti Sokol Tahiri, biznesmeni Fadil Syla ka nisur një fushatë shpifjesh pa bazë.
“Ne jemi në gjyq dhe i kemi kërkuar zotit Syla të presë gjyqin, se ai nuk është i rregullt. Po të ishte në rregull nuk do ishim në dy gjyqe ne sot”, shton avokati. Madje, Sokol Tahiri u shpreh se ndaj medias në Kosovë, “Indeksionline” që ka marrë në intervistë biznesmenin Syla, është bërë padi për shpifje dhe prishje imazhi.
Avokati Sokol Tahiri ka vënë në dispozicion dhe një vendim të Gjykatës së Apelit në Durrës, me datë 19.05.2020, për shpalljen të pavlefshme të kontratës dhe ka urdhëruar rikthimin e çështjes në gjykatë për rigjykim, me tjetër trup gjykuese.