
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut përmbytën segmentet rrugorë në qytetin e Durrësit.
Rrjeti i kanalizimeve nuk mundi të përballojë reshjet dhe për pasojë niveli i ujit në rrugë u rrit dukshëm duke krijuar vështirësi në qarkullim.
Këto nuk ishin problemet e vetme të shkaktuara nga moti i keq. Një pjesë e vijës bregdetare të plazhit të madh ishte nën “pushtetin” e leshterikëve.
“Ka leshterikë këtu dhe nuk e pastron njeri,” – u shpreh një qytetar.
Mungesa e parqeve dhe vendeve të tjera për të pushuar bën që mosha e tretë të qëndrojnë buzë detit, edhe pse nuk u ofrohen as kushtet më minimale të higjienës, raporton euronews.al
“S’kemi ku të shkojmë. Ku të shkojmë? Ka parqe? S’ka asgjë, ne shyqyr kemi detin,” – tha një qytetar.
“Unë prapë do rri buzë detit. Ne kemi vite që rrimë në ajër të pastër. Sa të rrish nëpër ato pijetoret më mirë rri buzë detit,” – u shpreh një tjetër.
Situata të tilla raportohen nga qyteti bregdetar sidomos gjatë dimrit, por deri më tani autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për parandalimin e tyre.