Insajderi
Insajderi

Hysamedin Feraj në 2019-tën foli “zi e terr” edhe për Vjosa Osmanin

Insajderi
27 September 2022 - 17:47
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hysamedin Feraj në 2019-tën foli “zi e terr” edhe për Vjosa Osmanin
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Grumbull reagimesh e në të shumtën e rasteve, sharje ndaj tij, ka nxitur një deklarim i Hysamedin Ferajt, anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe këshilltarit të Kryeministrit Kurti për mbikëqyrjen e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri, për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, shkruan Insajderi.

Ai shkroi se Haradinaj “po ankohet pse Serbia s’e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë lufës por vëllezërit e tij”.

“Ramushi vazhdoi të ankohet pse Serbia nuk e ka vrarë Albin Kurtin në burg, pa dhënë përgjigje pse nuk e ka vrarë Ramushin gjatë luftë por vëllezërit e tij, dhe pse mbas lufte Vuçiqi e dërgoi natën e me urgjencë Listën serbe që ta bëjë Ramushin kryeministër!”, ka shkruar Feraj më 26 shtator 2022.

Por, qëndrime të tilla, Feraj nuk publikon për herë të parë. Në vitin 2019-të, atij i doli punë edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.

Ai me ironi e kishte quajtur Osmanin “të shkolluar”.

Në këtë shkrim të para tri viteve, Feraj kishte thënë se Vjosa Osmani kurrë s’pati aq shkollë sa të paralajmëronte e mobilizonte për rreziqet që përgatiteshin e i propozoheshin Kosovës, por thoshte se Osmani di të paralajmërojë kundër bashkimit kombëtar.

Feraj kishte thënë se Osmani është e shkolluar në “shkollën e nacionalizmit serbo-grek”, derisa shtonte se tashmë presidentja është mohimi i intelektual i dyshes Albright-Merkel.

Reagimi i plotë i Ferajt në vitin 2019:

 “E shkolluemja” Vjosë!

Kurrë nuk pati aq shkollë sa të shquante, të na paralajmëronte, e të na mobilizonte kundër rreziqeve qe na përgatiteshin e na propozoheshin t’i realizojmë vetë ne, nëpërmjet dokumenteve juridike:

Copëzimin e Kosovës mbi baza etnike në planin Aahtisari; “përfshirjen e të gjitha kërkesave të Serbisë”, siç deklaroi i kënaqur Vuk Jeremiqi, për 6 pikat e Ban Ki Munit; bosnjëzimin e Kosovës me marrëveshjen për zajednicën serbe…

Të mos zgjatemi: “e shkolluemja” Vjosë di të paralajmëroj kërcënueshëm vetëm kundër bashkimit kombëtar shqiptar! Madje duke tejkaluar nacionalizmin serb: kërkon të heqim dore perhershëm jo vetëm nga përpjekjet praktike por nga vetë ideja e ndërgjegjes shqiptare!

Nesër i vjen radha të na kërkoj të njëjtën gjë për Mitrovicën dhe Veriun e Kosovës. Mbasi kundër shqiptarëve e në favor të shtetit malazez tashmë e ka kryer një detyrë duke votuar për 8200 hektarë territor të shtetit që pretendon ta mbrojë.

Vërtetë e shkollueme dhe besnike, por nga veprimet e nga fjalët, duket qartë e shkollueme e besnike në shkollën e nacionalizmit serbo-grek.

Prandaj Vjosa është mohimi absolut intelektual e politik i dy zonjave të shquara jo shqiptare: Albright-Merkel që frenuan nacionalizmin bashkëkohor serb të cilin Vjosa do që ta bëj mendim të Republikës së Kosovës.

Elektorati i LDK-ës, i rrekur në rezistencën antiserbe dhe me ëndrrën e bashkimit kombëtar, nuk është as i kësaj shkolle të Vjosa Osmanit, as për këtë “dituri” që nuk shquan para se të ndodh asnjë rrezik të sotëm për shqiptarët.

Për hir të vuajtjeve të veta, të durimit të dikurshëm torturues vetëm për hir të avancimit të statusit e të çështjes shqiptare, elektorati i LDK- ës sot e shikon veten e atëhershme  të avancuar tek Albin Kurti dhe VETËVENDOSJE!


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark