
Festivali Shliroj Cicat, si organizimi më i madh në vend rreth kancerit të gjirit, këtë vit organizon edicionin e dytë prej datës 13 deri më 16 Tetor, shkruan Gazeta Insajderi.
Gjatë këtyre katër ditësh, do të ketë aktivitete të ndryshme me qëllim të: – Vetëdijësimit për kancerin e gjirit – Avokimit për kushte më të mira në institucione publike për trajtim të kancerit të gjirit – Ngritja e fondeve për t’u ndihmuar grave me kancer gjiri – Edukimi i grave se si të bëhet vetëtestimi.
Meqë një nga hapat kyç në luftimin e kancerit të gjirit është zbulimi i hershëm, përgjatë këtyre ditëve të përcjellura me aktivitete të shumta, festivali ‘Shliroj cicat’ ka për synim vetëdijësimin e grave për rrezikun nga kanceri i gjirit, të mësojë gratë se si të bëhet vetëtestimi, të avokojë për kushte më të mira në institucione publike të shëndetësisë për trajtim të kancerit të gjirit dhe të rrisin fonde në ndihmë të grave me kancer gjiri.
Ndonëse edicioni i vitit të kaluar pati një sukses të madh, kushtet në spitalin e Onkologjisë, aty ku trajtohen gratë me kancer të gjirit vazhdojnë të jenë të vështira.
“Por, vit pas viti, kushtet për trajtim të kancerit të gjirit në Kosovë mbesin të pa përmirësuara, në mos duke u bërë më të vështira. Gjendja në Klinikën e Onkologjisë është e papërshtatshme për trajtim dinjitoz të kancerit të gjirit, ndërsa vetëdijësimi për kancerin e gjirit prapë vazhdon të jetë i ulët.”, thuhet në postimin në faqen zyrtare të festivalit ‘Shliroj Cicat’.
Në ditën e fundit të këtij festivali, më 16 tetor, ‘Shliroj Cicat’ sjell për herë të parë në Kosovë edhe maratonën e madhe evropiane kundër kancerit të gjirit ‘Race for the Cure’.
“Vrapimi në këtë maratonë është mënyra më e mirë se si mund të kontribuojmë të gjithë së bashku në kauzë, duke e blerë maicën ju bëheni pjesë e vrapimit dhe kontribuoni në mbledhjen e fondeve.”, thuhet në postimin e ‘Shliroj Cicat’, ku më tutje festivali njofton se fondet e mbledhura nga shitja e maicave të ‘Race for the Cure’ do të përdoren për t’iu ndihmuar grave me kancer gjiri dhe për të përmirsuar kushtet e trajtimit në Klinikën Onkologjike.
Maratona do të mbahet më 16 tetor në sheshin ‘Zahir Pajaziti’.
‘Shliroj Cicat’ kanë realizuar dhe një video edukuese me informata se si bëhet vetëtestimi. Kjo video përmban informata rreth vetëtestimit sidhe është e para video që përcjell mesazhin në mënyrë kaq direkte. Demonstrimin e bën aktorja Shengyl Ismaili dhe qëllimi i videos është që të marrë vëmendjen e njerëzve në mënyrë që mesazhi të shpërndahet sa më shumë.
VIDEO: