Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se gjatë takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ua ka prezantuar vijat e kuqe, përtej të cilave nuk mund të shkojë Kosova.
Në konferencën për media në Pragë, të enjten mbrëma, ku po merr pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian, Omani tha se gjatë takimit me dy liderët evropianë, ka ngritur çështjen e liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dy tema që duhet të shtyhen përpara. Është diskutuar edhe për dialogun me Serbinë.
Ajo ka njoftuar se vijat e kuqe të Kosovës që i ka paraqitur në këtë takim kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit e kushtetutshmërisë që Kosova të mbetet shtet funksional.
“Që mos të lejojmë zgjidhje të cilat më shumë shkaktojmë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon. Unë i falënderoj të dy që na dhanë mundësinë që aq në detaje të shpjegojmë pozicionin tonë dhe ekipet e tyre shumë shpejtë përsëri do të ulen bashkë me ne të diskutojmë të gjitha temat edhe më në detaje se sa që kishim mundësi në këtë takim. Është shumë me rëndësi që liderë si Scholz e Macron kanë një angazhim dhe përkushtim kaq të madh që dialogu mes Kosovës e Serbisë të ecë në rrugë të drejtë”, shtoi ajo.
Ajo ka folur edhe për takimin e 13 tetorit të Grupit Punues për Vizat, ku pikë e rendit të ditës është çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe për këtë është shprehur me optimizëm, por ka thënë se duhet treguar kujdes, pasi nuk përfundon gjithçka aty se ka shumë hapa të tjerë deri në hyrjen në fuqi.
E për takimet me liderët e Greqisë dhe Sllovakisë, dy shtetet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, Osmani ka thënë se që të dyja vendet kanë qëndrime konstruktive në raport me Kosovën.
“Këto janë shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, por të dyja kanë qëndrime konstruktive sepse asnjëherë nuk e kanë bllokuar rrugën evropiane të Kosovës. Kisha mundësinë të kërkojë përkrahje përtej tyre me disa prej çështjeve me të cilat po ballafaqohemi tani dhe po shpresoj që jemi në rrugë të drejtë por në fund këto do të jenë vendime të institucioneve të këtyre dy shteteve, ne kemi shpjeguar argumentet tona se pse është me rëndësi Kosova të ecë në mekanizmat ndërkombëtar. Siç e thash tani do të presim edhe vendimet e tyre. Çka është me rëndësi këto shtete asnjëherë nuk e kanë e bllokuar liberalizimin e vizave për Kosovën edhe pjesë janë shtete mosnjohjes në fakt na kanë përkrahur edhe publikisht”, tha ajo, raporton RTK.
Osmani: Kushtetuta, alfa dhe omega e secilit veprim për Asociacionin
Osmani ka folur edhe për themelimin e mundshëm të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për çka ka thënë se Kosova ka një për Asociacionin.
“Modalitet është kushtetuta e Kosovës, është alfa e omega e secilit veprim”, ka thënë ajo. “Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e trason rrugën përpara që përcakton se mekanizma të tillë nuk mund të jenë as njëetnik, as të kenë kompetenca ekzekutive e as nuk mund të krijojmë një shtresë të ndërmjetme të qeverisjes e cila do të binte ndesh me kushtetutën, këto janë parimet tona. Ne vazhdimisht e shpjegojmë para partnerëve tanë se sa me rëndësi është që mos të shkojmë përtej kësaj sepse nuk është në interes të askujt e më së paku të Kosovës, por as të rajonit e as të BE-së që të kemi një Republikë serbe apo modele të ngjashme që nuk kanë funksionuar e nuk do të funksionojnë sepse më shumë krijon probleme sesa qetësi, paqe e stabilitet”, ka thënë tutje presidentja.