Kryeministri Albin Kurti është përfshirë sot në një polemikë me gazetarët serbë, të cilët e pyetën për Asociacionin e “komunave serbe”. Kryeministri i Kosovës u ka thënë se i kanë konceptet e gabuara dhe u ka shpjeguar se nuk ka “komuna serbe”, por komuna me shumicë serbe.
“Së pari nuk ka në Kosovë komuna serbe. Nuk ka as komuna shqiptare, as komuna serbe. Ka komuna me shumicë të popullsisë shqiptare, shumica e komunave janë të tilla. Por ka edhe komuna që janë me shumicë serbe, por nuk ka komuna serbe, nuk ka të tilla. Komunat u përkasin qytetarëve, nuk ka komuna sipas përkatësisë nacionale. Shikoni, konceptet i keni të gabuara”, u ka thënë Kurti gazetarëve serbë.
Në një deklaratë gjatë qëndrimit për Samitin në Berlin, gazetarët ndërhynë dhe i thanë se “kështu është sipas marrëveshjes së Brukselit”.
“Jo, jo nuk qëndron ashtu. Ndoshta në Beograd ekzistojnë dokumente të tilla. Në Prishtinë nuk ka komuna sipas përkatësisë nacionale, ka individë të përkatësisë nacionale. Nuk mund të jetë komuna serbe, mund të jetë me shumicë serbe”, u përgjigj Kurti.