×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Profil | Kush është Rasim Zekaj që u arrestua për subvencione dhe e kishte me qira tokën në Stankaj

    Insajderi
    06 November 2022 - 21:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Biznesmeni nga Peja, Rasim Zekaj ra në duart e Policisë së Kosovës në qershor të këtij viti. Zekaj dyshohej për dallavere me subvencione në sektorin e bujqësisë. Kompania e tij “Organic Herbs Kosova” përmes të cilës prokuroria po dyshon se janë kryer dallaveret po përmendet edhe në rastin në Stankajt. Aty ku sipas raportit të Ministrisë së Bujqësisë janë ndërtuar 25 vila pa leje.

    Në kërkesën për paraburgosje ndaj tij Prokuroria kishte deklaruar se ai në emër të biznesit të tij “Organic Herbs Shpk” ka përfituar subvencione për bime mjekësore dhe aromatike – bujqësi organike ndërsa në realitet një pjesë të madhe të sipërfaqes e ka pas të mbjell jonxhe e cila përdoret si ushqim për bagëti dhe në bazë të programit për pagesa direkte të vitit 2020, kjo kulture bujqësore nuk figuron fare në listën e bimëve mjekësore dhe aromatike, dhe me këtë rast përmes mashtrimit ka përfituar shumen  prej mbi 90 mijë eurosh.

    Zekaj madje dyshohet se për të përfituar këtë i ka dhënë 7 mijë euro ryshfet tek zyrtarët e ndërlidhur me subvencionet, dy inspektorë: Bekim Bruqi e Blerim Mulliqi dhe drejtori Luan Statovci.

    Pronat e Institutit Bujqësor të Kosovës në Pejë, përfshirë edhe ato ku janë ndërtuar vilat në Stankaj i ishte dhënë me qira biznesit të tij, “Organic Herbs Kosova” në vitin 2018. Kontrata i skadon vitin tjetër.

    Biznesmeni, Rasim Zekaj nuk ka pranuar që të flas për InDoks. Zyrtarë nga biznesi që ai e drejton në fillim kishin thënë që Zekaj mund të vij për tu takuar nga Shqipëria, ku drejton një biznes të një natyre krejt tjetër, por më vonë janë tërhequr.

    Për biznesin e Zekajt në InDoks të Gazetës Insajderi foli edhe drejtori i IBK-së, Fehmi Geci.

    “Përgjithësi në Pejë “Organic Herb-it” ia kemi bërë të padrejtën sepse në kuadër të kontratës së tij i kemi përfshi të gjitha pronat e Pejës edhe i kemi përfshi për një qëllim, që pikërisht përmes mbajtjes në kontratë për me hetu apo me i konstatu abuzimet apo tjetërsimet eventuale, për arsye se ne nuk kemi potencial, nuk kemi kapacitet as humane as buxhetore për me i administru dhe monitoru pronat e IBK-së.

    “Për arsye se krejt një buxhet që e kemi që hynë edhe investimet në aspektin e hulumtimit shkencor i kemi veç 40 mijë euro vjetore. Në mungesë, se kemi shumë raste në prezantim para gjykatave apo kur kam shku me bo padi për uzurpime të pronës unë jam kuqë para prokurorit kur më ka thënë qysh nuk e punoni pronën edhe po thoni po na punon… ah jo ne i kemi dhënë me ymyt se ka me punu se ai ka shumë prona që e di që kanë probleme se janë të pa punuara por janë në kontratë të “Organic Herb”, tha ai.

    Drejtori i IBK-së tregon se si u përmend firma e Rasim Zekajt tek pronat në Stankaj.

    “Po edhe në Stankaj. Tash pse nuk ka mujt me punu, nuk kam informacion. Jo unë e di që “Organic Herbs”, heziton tash me marrë atë pronë edhe për shkak të ndërhyrjeve për shkak se është zonë malore, nuk ka vullnet për me mbajtë më tutje në kontratë”, tha drejtori.

    InDoks | Dosja Stankaj – Dokumentar ekskluziv për tjetërsimin e tokave të shtetit

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark