Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në seancë të re plenare. Në rend dite sot është interpelanca me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti për çështjen “Masat urgjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës në raport me situatën e krijuar në vend”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar sot Qeverinë Kurti lidhur me qasjen në dialog dhe qeverisjen e vendit.
Ai ka argumentuar se trajtimi i kësaj teme është i vonshëm, dhe ka kërkuar nga Kurti që të raportojë për procesin e dialogut në Kuvend.
“Trajtimi i kësaj teme duhej të ndodhte gjatë kohës kur ishim në përplasje me gjithë dokumentin ndërkombëtar. LDK konsideron nevojën e raportimit të Kryeministrit të Kosovës mbi gjithë procesin e dialogut këtu në Kuvend, sepse një konfirmim të tillë veç e ka dhënë në takimin që e kemi pasur me liderët partiak. Pres që këtë raportim ta kemi sa më shpejt në Kuvend” -tha Abdixhiku.
Ai tutje tha se kryeministri po flet për siguri, por 17 përqind të territorit të Kosovës është pa policë, gjyqtarë e prokurorë.
“Me çka mbahet shteti me fjalime prej Prishtinës?” – shtroi pyetjen Abdixhiku.
“Kur i dëgjon pozicionimet e Qeverisë të krijohet përshtypja se jeton në një univers paralele, dy botëra që nuk përputhen. Kryeministri foli për siguri, ndonëse sa flasim këtu, 17 përqind e territorit të Kosovës është pa policë, pa gjyqtare, pa prokuror dhe pa shërbim administrativ. Një aksident as një dhunë familjare nuk ka kush ta trajton. Me çka mbahet shteti me fjalime prej Prishtinës?” – tha Abdixhiku përcjell Insajderi.