Këshilli Drejtues (KD) i Universitetit Publik të Gjakovës “Fehmi Agani” (UGJFA) ka emëruar si ushtrues detyre të rektorit profesor. dr. Zeqir Hashanin. Ky vendim, dyshohet të jetë në kundërshti me statutin e Universitetit, përkatësisht nenin 31.
Insajderi
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Gjakovës, është vendosur që profesori, Zeqir Hashani të jetë ushtrues i detyrës së rektorit.
Në vendimin e siguruar nga Gazeta Insajderi, thuhet se Hashani këtë detyrë do ta ushtroj deri më 20 shtator të vitit që vjen. Përkitazi me këtë, si ushtrues detyre Hashanit i bie të jetë për plotë 10 muaj në Universitet si u.d i rektorit.

Ky vendim sipas një burimi të Insajderit brenda Universitetit, bie në kundërshtim me nenin 31, pikën 6 të statutit të UGJFA-së, krejt kjo pasi aty thuhet se “Ushtruesi i detyrës së rektorit do të mbajë postin deri në fund të mandatit, në qoftë se deri në shpalljen e zgjedhjeve në Universitet kanë mbetur jo më pak se gjashtë muaj”.
Ndërkaq në ueb-faqen e Universitetit thuhet se është pikërisht neni 31 dhe pika 6 nga ku KD është mbështetur për zgjedhjen e Hashanit në krye të rektoratit.
“Këshilli Drejtues i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, në mbështetje të nenit 31, pika 6 të Statutit të Universitetit, në mbledhjen e mbajtur sot më 02.12.2022 me gjashtë (6) vota PËR zgjodhi Prof. Ass. Dr. Zeqir Hashanin për ushtrues të detyrës së Rektorit të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë”, thuhet në ueb faqe.
Hashani është emëruar si ushtrues detyre i rektoratit më 6 vota për.
