
I biri i Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – Danillo Vuçiq – i cili u bë kryetemë në mediat rajonale për pjesëmarrje në datën famëkeqe të 9 janarit në Bosnje-Hercegovinë, përkatësisht në festimet e Ditës së “Republika Srpska”-s, ishte i mbrojtur nga pesë bodigardë të armatosur rëndë.
Ndonëse Aleksandar Vuçiq tha se i biri i tij po qëndronte në Bosnje-Hercegovinë “ekskluzivisht si person privat”, portali investigativ boshnjak “Istraga.ba” e përgënjeshtroi atë, raporton Insajderi.
Ambasada e Serbisë në Sarajevë e informoi Ministrinë e Punëve të Jashtme në Bosnje-Hercegovinë përmes kanaleve diplomatike se Danillo Vuçiq do të udhëtonte për në BeH më 8-11 janar me qëllim të vizitës së Banja Llukës dhe Jahorinës. Ai do të ishte i shoqëruar me pesë persona të armatosur, thuhet në letrën që ka siguruar “Istraga” nga persona të afërt me shërbimet e sigurisë në Bosnje-Hercegovinë.
Për të birin e Vuçiq, i cili po udhëtonte me eskortë dhe dy vetura luksoze, kërkesa për të u bë që të merr trajtim preferencial në kalim të kufirit ndërshtetëror – do të thotë – kalim të papenguar, si dhe provizione shtesë të sigurisë gjatë qëndrimit të tij në Bosnje-Hercegovinë.
Të hënën Danillo Vuçiq ishte në Sarajevën Lindore, ku 9 janari u shënua me paradë si Dita e “Republika Srpska”-s, pavarësisht verdiktit të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së si “antikushtetuese”.
Së bashku me presidentin e RS-së, Milorad Dodik, në forumin e posaçëm ishin të pranishëm të gjithë politikanët e rëndësishëm të subjekteve, me ta edhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq dhe disa ministra të tjerë të qeverisë serbe, përcjell Insajderi.
Menjëherë pas tyre në podium, i cili u regjistrua nga të gjitha mediat rajonale, qëndronte edhe Danilo Vuçiq, dhe ky fakt shkaktoi reagime dhe pikëpyetje të shumta se çfarë saktësisht përfaqësonte djali i presidentit të Serbisë dhe çfarë mesazhi dërgonte babai i tij.
Analisti politik serb Boshko Jakshiq, për shembull, i tha gazetës Danas se as Stalini dhe as Tito nuk i dërguan familjarët e tyre në ngjarje të tilla. “Këtu mungonte e vetmja gjë që u shfaq Ivica Daçiq me djalin e tij, që të kompletohej varianti ballkanik i nepotizmit”, tha Jakshiq./Insajderi/