×
  • Lajme
  • Insajderi

    FOTO \ Shpërthen uji në depon me barna në Spitalin e Pejës, drejtori tregon se çfarë dëme u shkaktuan

    Insajderi
    15 January 2023 - 19:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Depoja farmaceutike në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ka pësuar dëmtime serioze pas pëlcitjes së gypave të ujit nga radiatori. Si pasojë e infrastrukturës së dobët të spitalit dhe ndryshkut në gypa, ka bërë që të ketë rrjedhje të ujit në një nga dhomat e administratës duke depërtuar tek depoja e farmacisë dhe të dëmtohen disa nga paketimet me barna që ndodheshin aty, shkruan Gazeta Insajderi.

    Gazeta Insajderi ka mësuar se kjo prishje dhe dëmtim i depos me medikamente ka ndodhur javën e parë të janarit më saktësisht me 3 janar por që nuk është bërë mediatike.

    Nga burimet tona, kemi siguruar dhe pamje brenda barnatores së spitalit ku shihen të lagura paketimet brenda së cilave ka medikamente.

    Foto brenda depos

    Lajmin e ka konfirmuar edhe Drejtori i Spitalit të Pejës, dr. Fazli Shala. Ai tha për Gazetën se nga pëlcitja e ujit, fatmirësisht nuk janë dëmtar medikamentet. Sipas tij, janë lagur vetëm paketimet e tretjeve të cilat janë të mbrojtura me plastikë.

    Po kemi pas pelcitje të ujit nga radiatori tërësisht i ndryshkur i cili ka pelcit në një nga dhomat e administratës në ditën e tretë të pushimit të festës te vitit të ri dhe uji ka damtu vetem pllakat e kulmit përdhes ku është depoja e farmacis duke lagur fatmirësisht vetëm paketimet e tretjeve te cilat janë te mbrojtura për shkak se janë mas plastike”, deklaroi ai për Gazetën Insajderi.

    Medikamentet janë larguar nga depoja dhe janë dërguar nëpër barnatore doracake të reparteve, thotë drejtori.

    Fatmirësisht nuk kemi pas dame ne medikamente ku një pjesë e tyre është larguar neper barnatoret doracake te reparteve Pavarësisht prej dëmeve te vogla ne kemi formu një komision për vlerësim  te dëmeve”, u shpreh ai.

    Drejtori i Spitalit, Fazli Shala tregon se brenda objektit të spitalit nuk është bërë ndonjë riparim që nga ndërtimi, para 51 viteve.

    Ne kemi një institucion qe është ndërtuar ne vitin 1972 , dmth rrafsh 51 vjet pa ndërruar asgjë ne infrastrukturë te këtij objekti . Kanalizim te stërvjetër, gypa uji te stervjetuar , bile tanimë te ndaluar për përdorim , rrjet elektrik te vjetër dhe çdo gjë e deamortizuar”, tha ai.

    Ndërsa nga ana tjetër ende nuk sa është shuma e dëmeve të shkaktuara për të cilat është njoftuar edhe ShSKUK.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe u.d drejtoreshën e ShSKUK, Pranvera Zejnullahu-Raçi por nuk iu është përgjigjur thirrjeve të Gazetës.

    Drejtori bëri të ditur se këtë vit do të nderohet depoja e re për medikamente pasi vendi ku është aktualisht depoja, sipas tij nuk i plotëson standardet.

    /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark