Pas një mosmarrëveshje në komunikacion, shoferi i autobusit të linjës 4 ka nxjerrë armën duke kanosur shoferin e një veture tjetër me të cilin pati një incident.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për incidentin që ka ndodhur sonte në këtë autobus që ishte me udhëtar në momentin kur ndodhi rasti.
Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë ka thënë se pas një mosmarrëveshje, shoferi i autobusit e ka kanosur me armë zjarri shoferin e një veture.
“Sot rreth 17:30, kemi pranuar informatën për një rast kanosje, që ka ndodhë në rrugën “Rrahim Beqiri” në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, dyshohet se pas një mosmarrveshje në trafik, ngasësi i një autobusi, me armë zjarri ka kanosur palën tjetër (ngasësin e një veture)”, ka thënë ajo për Insajderin.
Ahmeti ka shtuar se palët janë shoqëruar në polici dhe arma është sekuestruar.
“Lidhur me këtë rast, është sekuestruar një armë zjarri dhe në stacion policor janë shoqëruar palët e përfshira. Aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme policore për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin”, ka deklaruar Ahmeti