
Pas vërejtjeve të deklaruara nga Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, që forca paramilitare/mercenare ruse Wagner ka gjetur strehë rekrutimi në Serbi, ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan Insajderi.
Rusia të ndalojë përpjekjet që të rekrutojë serbë për të luftuar në anën ruse në Ukrainë, e citoi “Reuters” të ketë kërkuar Vuçiq.
Vuçiq ka kritikuar uebsajtet ruse dhe mediat sociale të cilat kanë publikuar reklamime në gjuhën serbe ku grupi famëkeq “Wagner” u kërkon serbëve që vullnetarisht t’u bashkohen forcës.
“Pse ju, Wagner, e thirrni dikë nga Serbia kur e dini që kjo shkon kundër rregullave tona”, ka thënë Aleksandar Vuçiq të hënë për Tv Happy, përcjell Insajderi.
Vullnetarët serbë kanë luftuar krah forcave ruse në Ukrainë edhe gajtë viteve 2014 dhe 2015, rikujton “Reuters”. Askush s’ka idenë më të vogël se sa është numri i serbëve mercenarë në Ukrainë, thonë vëzhguesit.
Vuçiç mohoi akuzat se grupi Wagner, i udhëhequr nga Evgeny Prigozhin, një aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka një prani në Serbi ku organizatat pro-Kremlinit dhe ultranacionaliste kanë mbështetur pushtimin e Ukrainës.
Të martën, agjencioni i lajmeve ruse RIA transmetoi pamje të dy burrave të maskuar duke i identifikuar si vullnetarë serbë në një kurs qitjesh me armë në pjesët e pushtuara nga Rusia në rajonin e Zaporizhzhia në Ukrainë.
Sebria është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ajo mirëmban bashkëpunim tregtar dhe ushtarak me Rusinë./Insajderi/