Është liruar nga masa e paraburgimit rreshteri i Stacionit të Policisë në Pejë, Gani Lajqi. Ai ishte arrestuar në shkurt të 2022-tës nën dyshimin për veprën penale dhunim, ngacmimi dhe shantazh ndaj ish të dashurës së tij.
Gazeta Insajderi nga burimet e saj e ka mësuar se Lajqi është liruar të premten e 13 janarit.
“Është liru të premten ia kanë ndryshuar masën në arrest shtëpiak” i tha ky burim Insajderit teksa bëhet me dije se ai këtë masë do ta mbajë deri me 13 mars.
Siç mëson Insajderi hetimet ndaj rreshterit janë mbyllur që nga 23 dhjetori i 2022-tës.
Sipas raportimeve fillestare, Lajqi kishte insistuar të vazhdojë lidhjen që veç kishte përfunduar, përkundër mungesës së vullnetit të ish të dashurës së tij.

Madje në një rast dyshohet se edhe e ka shantazhuar me publikimin e disa fotografive e informatave që mund ta sillnin para turpit të rëndë.
Si pasojë e kësaj, e dëmtuara e kishte paraqitur rastin në Polici e më pastaj edhe në IPK, të cilët zhvilluan hetime preliminare dhe konstatuan dyshimin për përfshirjen e rreshterit policor në aktivitete kriminale.
Paraprakisht, në qershor të vitit të kaluar Prokuroria kishte kërkuar zgjatje të masës së paraburgimit.
Përkundër dyshimeve të bazuara edhe nga IPK rreshteri tashmë është liruar nga paraburgimi.