
Në rastin e gjashtëdhjetë vjetorit të Marrëveshjes së Elysee-s që vendosi miqësinë mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botëtore, ambasadorja gjermane në Beograd, Anke Konrad dhe ambasadori francez Pierre Cochard, kanë diskutuar në një intervistë të përbashkët për mundësinë e ripajtimit shqiptaro-serb, raporton Insajderi.
“Pajtimi ushqehet gjithmonë nga disa burime: vullneti për dialog, guximi për t’u përballur me të shkuarën, respekti për tjetrin, angazhimi për një bashkëjetesë të re. Pajtimi ndodh me dhe mes njerëzve, ai nuk mund të imponohet. Forma që merr është sigurisht shumë individuale. Kohëzgjatja e procesit të pajtimit mund të ndryshojë ndjeshëm. Por nuk ka dyshim se është një bekim për individët dhe kombet”, i thanë ata të përditshmes serbe “Danas”.
Pyetur se a dallon propozimi franko-gjerman nga qasja amerikane për zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Konrad dhe Cochard u shprehën se ka “unitet të madh” sa i përet Kosovës mes BE’së dhe ShBA’së.
“Në çfarë konsiston iniciativa franko-gjermane që ju përmendni? Bëhet fjalë për mbështetjen reale të ndërmjetësimit të vazhdueshëm evropian, frymëmarrjen e një dinamike të re politike dhe vënien sërish në tavolinë të objektivave themelore që janë të qarta: normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë”, thanë ambasadorët.
“Përveç kësaj marrëveshjeje, tani është urgjente të ndërmerren hapa të rinj: duke zbatuar marrëveshjet e nënshkruara, duke përfshirë krijimin e një komuniteti të komunave me shumicë serbe dhe kthimin e serbëve në institucione, dhe duke trajtuar të gjitha çështjet që mbeten. mbi tavolinë”.
Pyetur se a ka mundësi të ketë konflikt të armatosur ndërmjet palëve, ambasadorët u shprehën se “askush nuk e paramendon një opsion të tillë”.
“Kjo do të ishte katastrofë për njerëzit që jetojnë atje dhe për kontinetin ton”, u shprehën ambasadorët.