×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Kolosi i letërsisë shqiptare feston sot ditëlindjen

    Insajderi
    28 January 2023 - 12:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sot feston ditëlindjen e 87-të shkrimtari gjirokastrit Ismail Kadare, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore shqipe.  Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, fitues i shumë çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave.

    Ai është i martuar me Helena Kadaren, ndërsa ndan jetën mes Francës dhe Shqipërisë. Kadare vendosi të largohej drejt Parisit në vjeshtën e viti 1990. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.

    Autor i veprave të njohura ndërkombëtarisht si “Dimri i Vetmisë së Madhe”,”Kronikë në Gur”, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, “Vit i Mbrapshtë”, “Koncert në fund të dimrit”, “Përbindëshi”, “Nata me hënë” : “Kështjella”, “ “Ura me tri harqe”, “Prilli i thyer”, “Dosja H”, “Piramida”, “Pallati i ëndrrave”, e shumë të tjera.

    Vepra këto që kanë arritur një numër rekord përkthimesh në 45 gjuhë të botës duke e bërë kështu historinë e kulturën e Shqipërisë të njohur përtej kufijve. Edhe pse krijoi një vepër me karakter universal, rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare.

    Në vitin 1992 u vlerësua me “Prix Mondial Cino Del Duca” e në vitin 2005 fitoi çmimin “Man Booker International Prize” ku ishte i nominuar bashkë me shkrimtarë tjerë të mëdhenj, duke përfshirë nobelistë si Günter Grass, Garbiel Garcia Marquez, Kenzaburo Oe etj.

    Kryetari i jurisë e arsyetoi vendimin për t’i dhënë çmimin Kadaresë me fjalët:

    “Ismail Kadare është një shkrimtar që hedh në hartë një kulturë të tërë: historinë e saj, dëshirën, folklorin, politikën, fatkeqsitë. Ai është një shkrimtar universal me traditë rrëfimi që shkon deri tek Homeri”

    Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll ”Princi Asturias” çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë.

    Ndërsa në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea”.

    “Dhënia e çmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare, nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohoen liritë themelore”, shkruhet në motivimin e çmimit.

    Ismail Kadare është dekoruar gjithashtu nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

    Po ashtu ai është shpallur fitues i çmimit ‘Nonino 2018’. ‘Nonino 2018’ është një çmim i destinuar për figura të mëdha të kulturës botërore nga një juri e autorizuar nga Nobel.

    Kadare konsiderohet si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit, i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist.

    ISMAIL KADARE:

    #10. Kohë e pamjaftueshme

    S’kam kohë të harroj shumë gjëra
    Që nga mendja ti nxjerr përjetë.
    Për tragjikët e vjetër e shkrepëtimat
    Do t’më duhen së paku dy vjet.

    Dhe ndoshta po aq për Danten,
    Për frëngjishten tok me plazhet po aq,
    Ndoshta gratë do të jem duke fshirë
    Kur muzgu do të afrohet ndërkaq.

    Si udhëtari me peshë të tepërt
    Para avionit që niset pas pak
    I ngarkuar rëndshëm ende
    Do t’afrohem tek varri humbak.

    Nga supet si ta heq këtë barrë?
    Ku ta hedh këte peshë, si?
    Me të s’mund të zbres atje poshtë
    Por as lart dot s’e lë kurrsesi.

    I menduar gjer në çast të fundit
    Nga mosthënia, nga pengu tragjik,
    Një shenjë ndoshta të pakuptueshme
    Do t’ju bëj të gjithëve e do ik.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark