
Pas vizitave në Prishtinë dhe Beograd, Emisari Special i BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime me edhe Grupin Parlamentar të Socialistëve dhe Demokratëve evropianë, të cilëve ua çmoi interesimin dhe mbështetjen ndaj punës së tij në fascilitimin e dialogut.
“Mirëprita mundësinë për t’iu drejtuar Komitetit Drejtues Willy Brandt të Grupit të Progresistëve. Diskutuam zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. E vlerësoj interesimin dhe mbështetjen për punën time”, njoftoi Lajçak në Twitter.
Lajçak gjithashtu zhvilloi takim edhe me eurodeputeten gjermane, Viola von Vramon, të cilën edhe e falënderoi për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të ngushtë.
“Pata bisedë të mirë me Viola von Cramon. Shkëmbyen shënime mbi ngjarjet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE’ja. I jam mirënjohës për bashkëpunimin e ngushtë të vazhdueshëm”, shkroi Lajçak.
Emisari sllovak qëndroi edhe në Prishtinë ku takoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast ky i fundit njoftoi publikisht se ka pranuar “në parim” planin franko-gjerman si bazë e mirë për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Insajderi/