
Janë bërë gati pesë orë që kur kanë nisur bisedimet në kuadër të takimit të Nivelit të Lartë në Bruksel, ku fillimisht nisën bisedimet ndaras të Bashkimit Evropian me palët negociuese, shkruan Insajderi.
Takimi ndërmjet Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, Përfaqësuesit Special për Dialog, Miroslav Lajçak dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, zgjati për një orë ku u pasua me një takim të përfaqësuesve të BE’së me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në ora 17:15 ka nisur takimi trepalësh, ku Kurti dhe Vuçiq pritet që të pranojnë “zyrtarisht dhe publikisht” planin evropian për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ekzistojnë pritshmëri të larta për “prodhimin e një lajmi të mirë” nga ky takim, siç është shprehur vetë ndërmjetësi Lajçak, si dhe një zyrtar i lartë i cili ka dashur të mbetet anonim, të cilin e ka cituar “Eauractiv”.
Megjithatë, ndonëse nuk dihet për ecurinë e bisedimeve të brendshme, propaganduesi i Aleksandar Vuçiq, Petar Petkoviq, ka thënë se “shtizat po thyhen momentalisht” rreth çështjes së Asociacionit, të cilën, sipas tij, Kurti “po provon ta shmang në çdo mënyrë”.
Në rrjetin e tij në Instagram, Vuçiq është lajmëruar dy herë, ku falënderoi “mbështetësit” e tij për besimin që ai në negociata “do të bëj gjëhën e duhur për Serbinë” dhe u shpreh se bisedimet që po zhvillohen janë të vështira.
Kujtojmë se Aleksandar Vuçiq ka thënë se Asociacioni “do të jetë parakusht i të gjitha parakushteve” rreth pranimit të planit evropian, ndërsa Kurti është shprehur se çështja e Asociacionit mund të jetë e zbatueshme vetëm pasi Serbia ta ketë njohur Kosovën dhe të jetë e negociueshme në kaudër të planit, por assesi t’i paraprijë asaj.
Ndërkaq pika 7 e planit evropian përmban sigurimin e një niveli adekuat të vetëqeverisjes për komunat me shumicë serbe si dhe formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, që Kurti e ka pranuar për “bazë të mirë” për negociata të mëtejme.
Në anën tjetër, edhe pika 10 e planit evropian kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve parprake ku më e theksueshmja e palës serbe dhe e ndërmjetësve është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Pas takimit trepalësh, i supozohet të fillojë dikur pas orës 19:30 një konferencë për media e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borrell, për të dhënë konkluuionet e takimit Kurti-Vuçiq./Insajderi/