Isa Mustafa për Insajderin: Vetëmenaxhimi për serbët kapërcen larg Asociacionin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Isa Mustafa për Insajderin: Vetëmenaxhimi për serbët kapërcen larg Asociacionin

    Insajderi
    28 February 2023 - 21:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Neni numër 7 i plan-propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që siguron “nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb”, pikë kjo që Kryeministri Albin Kurti e pranoi pa i hequr e shtuar asgjë, “kapercen shumë larg Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha shkurt për Insajderin, ish-kryeministri Isa Mustafa.

    Kështu edhe shpjegoi shkrimin e tij të cilin e publikoi në Facebook, ku Isa Mustafa iu drejtua Presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila, sipas tij, “vetë-shitet si juriste e mirë” të del e të shpjegojë saktësisht se cilat janë implikimet e këtij Neni.

    Isa Mustafa pati disa pyetje themelore për ish-partiaken e tij, Vjosa Osmanin.

    “A është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”, ishin pyetjet që Mustafa ia drejtoi Osmanit.

    Por, se çka përmban ky “vetëmenaxhim për serbët e Kosovës”, Mustafa ka shumëçka për të thënë. “Menaxhimi përfshin planifikimin, organizimin, personelin, drejtimin (udhëheqjen) dhe kontrollin. Pra kompetenca ekzekutive”.

    “Këto i pranoi kryeministri ynë. Asociacioni është diçka tjetër”, përfundoi Isa Mustafa.

    Ndërkaq, sot Presidenca e Kosovës, përmes një komunikate për media, doli me një qëndrim rreth marrëveshjes së pranuar dje nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Ndonsëe e quajtën “moment pozitiv në dialog”, thanë se janë pranuar disa propozime “jo të lehta” duke iu referuar Nenit 7 të planit frankogjerman.

    “Teksti i marrëveshjes nuk i sqaron tërësisht implikimet nga këto si dhe disa çështje të tjera, të cilat duhet të sqarohen domosdoshmërisht para se të finalizohet Plani i Zbatimit”, thuhet më tej në deklaratën e Presidencës për Gazetën Insajderi.

    Çfarë thotë Neni 7 i propozimit që ka pranuar Kurti?

    Neni 7

    Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

    Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark