
Ka muaj të tërë që e paraqet si vijë të kuqe në çfarëdo formati negociata. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se është kategorik se nuk pranon marrëveshje që Kosovën do ta lejonte në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, shkruan Insajderi.
Por, në lidhje me këtë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për çka tha se “kjo do të përbënte shkelje të Nenit 4” të propozim-planit të BE’së, për të cilën Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell, thotë se palët e kanë pranuar.
“Presidenti i Serbisë u zotua natën e kaluar të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte shkelje të qartë të Nenit 4 të Propozimit të BE’së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundshëm vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia qartazi ka vendosur të mos e bëjë këtë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Neni 4 parasheh që “Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Megjithatë, Aleksandar Vuçiq kaherë i ka artikuluar se janë dy çështje të cilat ai nuk i negocion në ndonjë marrëveshje eventuale. Njohja juridike e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB./Insajderi/