Çfarë “blloku serb” po synon të krijojë Vuçiq, dhe sa ka të bëjë me marrëveshjen me Kosovën? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Çfarë “blloku serb” po synon të krijojë Vuçiq, dhe sa ka të bëjë me marrëveshjen me Kosovën?

    Insajderi
    08 March 2023 - 09:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ka kohë që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njofton për krijimin e një “blloku serb” të cilin ai e ka vlerësuar në disa deklarime si bllok i cili do të sjellë “normalitet dhe ndershmëri” në Serbi, shkruan Insajderi.

    Lajmërimin për këtë bllok ai e ka bërë qysh para formimit të qeverisë së re serbe të dalë nga zgjedhjet e prillit të vitit 2022, dhe veçanërisht bëhet temë saherë që punët i ka ngushtë në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbia dhe kërkesat e rrepta perëndimore për vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

    Gjithashtu, rezultati i pakënaqshëm i Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet parlamentare të prillit të vitit të kaluar në Serbi në krahasim me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale që Vuçiq e kishte korrur, i kishin shoqëruar diskutimet për këtë “bllok serb”.

    “Të gjithë kanë partitë e tyre politike, disa janë për dikë, disa për të tjerët, prandaj është e nevojshme të kemi diçka për qendër, që është për Serbinë dhe këtë vend e duan më shumë se gjithçka tjetër. Kjo betejë s’do të jetë e lehtë sepse të gjithë po luftojnë kundër pavarësisë së Serbisë, të gjithë ata njerëz në vendin tonë”.

    “Të gjithë ata njerëz, ata politikanë, parti, po luftojnë kundër interesave të Serbisë, prandaj edhe është e rëndësishme të formojmë një bllok ndershmërie dhe normaliteti, një bllok serb që t’i kundërshtojë të dyja palët”, pati thënë Vuçiq në shtator të vitit  të kaluar.

    Asokohe analistët dhe politologët në Serbi këtë gjë e patën interpretuar edhe si përpjekje për të neutralizuar votat rusofile në Partinë Përparimtare Serbe, por edhe si përpjekje të partisë për t’u reformuar për shkak të rezultatit të dobët në zgjedhjet parlamentare të prillit në krahasim me ato që Vuçiq kishte marrë në zgjedhjet presidenciale, shkruan Insajderi.

    “Kur them [bllok] serb, nuk mendoj serb kombësisht, por mendoj edhe civil edhe kombëtar, një bllok ndershmërie që do të kundërshtojë të dyja anët”.

    Shkencëtari politik serb, Cvjetin Milivojeviq, e shihte këtë veçanërisht në relacion edhe me bisedimet me Kosovën në Bruksel dhe me kërkesën për sanksione ndaj Federetarës Ruse.

    “Kjo mund të jetë një lëvizje e Vuçiqit plus atyre që, për shembull, janë në favor të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe të anëtarësimit në BE edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme, dhe gjithashtu ka edhe aktorë politikë, madje edhe parti parlamentare, që janë në favor të saj, të cilët do ta mbështesnin Vuçiqin nëse ai do të bënte kapërcime me disa vendime”.

    “Por, për momentin, ka një numër mundësishë që një bllok tjetër shtet-formues do të formohej, mbi të cilën platforma e Vuçiqit do të ndihmohej në disa kohë nga partitë e krahut të djathtë, përveç koalicionit të tij”, vlerësonte politologu serb.

    Ndërkaq, vetëm pak para takimit të 18 marsit në Ohër ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, ky që të dy pritet të pajtohen rreth Aneksit të Zbatimit të Plan-Propozimit Evropian, presidenca serbe njoftoi se Vuçiq do të fillojë bisedimet me qytetarët serb për formimin e një lëvizje të madhe ose bllok serb.

    “Vuçiq do të kërkojë mbështetjen e popullit për mbrojtjen e Serbisë”, thanë për Tanjug nga Presidenca e Serbisë, përcjell Insajderi.

    Kujtojmë se në Serbi plan-propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën ka hasur në rezistencë të ashpër, ku madje edhe e djathta e skajshme ka thirrur për demosnstrata më 17 mars.

    Edhe partitë tjera opozitare e kanë vlerësuar planin si njohje të Kosovës në secilin Nen, ku nënshkrimin e saj e kanë artikuluar si kapitullim të plotë të Serbisë si dhe si themelim të plotë të barazisë ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    07 October 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark