A ka “kapitullim” në Ohër dhe të kujt? Mesazhet para takimit të 18 marsit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    A ka “kapitullim” në Ohër dhe të kujt? Mesazhet para takimit të 18 marsit

    Insajderi
    13 March 2023 - 11:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me të përfunduar takimi trilateral në Bruksel më 27 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseç Borrell, njoftoi se takimi i rradhës ndërmjet liderëve do të bëhej kah mesi i muajit mars në Maqedoni të Veriut, shkruan Insajderi.

    Por, se pse Maqedonia e Veriut ishte përzgjedhur, si takimi i parë jashtë Brukselit në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi, nuk ishte e qartë për pothuajse askënd. Pyetur rreth kësaj Kurti kishte një supozim.

    “Mos të harrojmë se më 9 qershor të vitit 1999 në Kumanovë u nënshkrua kapitullimi i Jugosllavisë së Millosheviqit dhe hyrja e forcave të NATO-s. Mendoj se këto elemente simbolike të Maqedonisë së Veriut ishim të rëndësishme për Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, që të na ftoj në Maqedoni për takimin e radhës të nivelit të lartë”, pati thënë Kurti një ditë më pas.

    Pas takimit në Bruksel ku u pajtua në plotëni për tekstin e Plan-Propozimit të BE’së ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takimi u përcaktua për në Ohër për t’u pajtuar edhe për Aneksin e Zbatimit të këtij Propozimi.

    Ohri ka historinë e marrëveshjes së rëndësishme ndërmjet qeverisë së Maqedonisë (sot Maqedoni e Veriut) dhe shqiptarëve më 13 gusht të vitit 2001.

    Ndërkaq sa i përket “kapitullimit” që përmend Kurti, edhe Presidenti i Serbisë këtë fjali e ka lart në fjalorin e tij të përditshëm. “Nuk e nënshkruaj kapitullimin e Serbisë”, thotë ai pothuajse në secilin rast.

    Mesazhet e dhëna para takimit të 18 marsit

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe i dyti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ditë më parë dha në vija të trasha qëndrimin e palës kosovare para takimit në Ohër.

    Në Ohër shkojmë kështu, tha Konjufca: “ndodh njohja ‘de facto’ dhe mëpastaj Kosova ia gjen modusin Asociacionit”.

    “Nëse nisemi prej të kundërtës, Kosova pëson edhe dëmtohet, dhe është gabim m’u pozicioniu ashtu. Është shumë e thjeshtë”, tha ai në në televizionin ATV, shkruan Insajderi.

    “Nëse pala kundërshtare është duke menduar që për të pranuar atë Kosova do ta ndërrojë Kushtetutën, Kosova ka me dhanë kompetenca ekzekutive, se e paska obligim të një marrëveshje të mëhershme – këtë harrone”, u shpreh Konjufca.

    Ndërkaq, Vuçiq para takimit është shprehur hiç optimist se në Ohër do të prodhohet ndonjë rezultat. Kjo për shkak se “parakushti i parakushteve” të tij, përkatësisht, Asociacioni, nuk do të përmbushet nga Kurti.

    “Vështirë se mund të paramendoj që të bëhet ndofarë përparimi në atë takim. Jam pothuajse tërësisht i sigurt se Kurti nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe. Kurti është duke u inkurajuar të shpërfillë obligimet e mëhershme”, tha ai në emisionin “Cirilica”, shkruan Insajderi.

    “Nuk kam për synim të nënshkruaj kapitullimin e Serbisë. Por, duhet të jemi në dijeni për rrethanat. Dorëzim nuk do të ketë, kapitullim jo. E kam bërë pa asnjë dyshim tël qartë se Serbia nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në NATO, e as që do ta njohë Kosovën ndonjë mënyrë”, ka thënë ai.

    Për takimin në Ohër, Vuçiq shprehet e sigurt se mund të bëjë “shumë kompromise”, por se e njëjta nuk mund të thuhet për Kurtin.

    Asociacioni, nyja kyçe

    Ndërmjetësi Special i BE’së thotë t’i ketë në tryezë 16 modele evropiane që mund të shërbejnë si model për një Asociacion të Komunave të banuara me shumicë serbe.

    Ndërkaq, një javë para takimit Kryeministri i Kosovës, ndonëse ka pranuar në plotëni Plan-Propozimin e BE’së, ku pika 7 parasheh “vetëmenaxhim për komunitetin serb” dhe pika 10 përmban Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, sërish tha se “nuk janë të mundshme zgjidhjet njëetnike”.

    “Unë jam këtu si kryeministër i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga identiteti i tyre kombëtar, përkatësia etnike apo fetare. Prandaj, dua t’i kënaq të gjithë qytetarët në përputhje me të drejtat, nevojat dhe dëshirat e tyre. Për shkak të rendit juridik të shtetit tonë demokratik, zgjidhjet monoetnike nuk janë të mundshme”, ka thënë Kurti në Euronews, përcjell Insajderi.

    Ndërkaq, Vuçiq, thotë se pikërisht Asociacioni është ““conditio sine qua non” për çfarëdo bisedimi tjetër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Nëse dëshironi – do ta bëni, nëse nuk dëshironi – nuk do ta bëni. Vetëm, mos na merrni më kohën”, ka thënë Vuçiq.

    Kohëve të fundit, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill duke folur për takimin në Ohër, përsëri thotë se çështja e Asociacionit do të jetë “testi i seriozitetit” ndërkombëtar në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shkruan Insajderi.

    Ende është tepër herët për të dhënë vlerësim rreth takimit të Nivelit të Lartë në Ohër ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

    Hill vlerëson se bisedimet po shkojnë “në drejtim e duhur” ndërsa vlerësoi se “shumë njerëz” e shohin Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe si test për “seriozitetin” e bashkësisë ndërkombëtare. “Dhe, po, mund të them se janë [seriozë]”, shtoi ai.

    “Mendoj se po ecën në drejtimin e duhur, por duhet të presim e të shohim sepse askush nuk është pajtuar ende për diçka. Nuk do të doja të flisja për çështje specifike dhe afate kohore, mendoj se është e rëndësishme që çështjet të zgjidhen […]”

    “[…] që pas 10 viteve Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të formohet më në fund dhe se shumë njerëz këtë e shohin si test të asaj se sa serioz është komuniteti ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështje dhe unë mund të them se janë. Duhet vetëm durim”, ka thënë Hill.

    Shtetet e QUINT’it, pothuajse të gjitha në sinkron, kanë dërguar mesazhe ndaj palës kosovare se çështja e Asociacionit duhet të zgjidhet me doemos për ta bërë të mundshme marrëveshjen bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, madje është shprehur se pa u zgjidhur çështja e Asociacionit “marrëveshja nuk do të jetë e mundshme”./Insajderi/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark