
“Pa Asociacion s’ka marrëveshje, s’ka normalizim”
Ky ishte lajtmotivi në të gjithë deklarimin e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajpak, pasi përfundoi takimet me përfaqësuesit politikë shtetëror në Prishtinë dhe Beograd.
Në Prishtinë tha se “takimi ia përmbushi pritshmëritë” ndërsa nga Beogradi i ra borisë së njëjtë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si bosht kyç për marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ky Asociacion tha se është kërkesë “unike” e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Lajçak përdori frazën e njëjtë të para disa muajve të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, se Asociacioni jo vetëm që “duhet të bëhet” por se ai “do të bëhet”.
“Sigurisht në bazë të asaj që është rënë dakord në 2013 dhe 2015”, tha ai, ndonëse Marrëveshja e 2015 është kontestuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Janë 15 modele evropiane që “mund të shërbejnë si frymëzim por jo si alternativë”, u shpreh Miroslav Lajçak.
“Kurrë më shumë s’kemi qenë të unifikuar rreth kësaj çështje”, i tha Lajçak transmetuesit publik serb duke folur Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Asociacioni është bërë çështje kyçe dhe është bërë e qartë për të gjithë se nëse nuk ka Asociaciojn, nuk ka marrëveshje dhe nuk ka normalizim. Por unë nuk besoj se kjo mund të ndodhë”.
Ndërkaq, këto takime të Lajçak të cilat supozohen të shtrojnë rrugën para për arritjen e një dakordësimi për Aneksin e Zbatimit të Plan-Propozimit të BE’së para takimit trepalësh në Ohër, mbeten nyja e pazgjidhshme për rrugën para.
Pala kosovare është pozicionuar në atë që “së pari njohja ‘de facto’ e shtetit të Kosovës nga Serbia” dhe vetëm më pastaj “të shihet gjetja e një modusi të Asociacionit”. Së paku kështu e përkufizoi qëndrimin e qeverisë kosovare, i dyti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca.
Ndërkaq, ndonëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar në plotëni Plan-Propozimin e BE’së, ku Neni 7 parasheh dhënien “e një nivelit të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb” dhe Neni 10 përmban Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ai u shpreh së fundi për Euronews se “nuk janë të mundshme zgjidhjet njëetnike”.
“Unë e kuptoj që Serbia shtynë shumë për çështjen e Komunave me Shumicë Serbe apo Zajednicës siç e kemi quajtur”, tha të marten Kurti.
“Ajo është në nenin dhjetë njëra prej 33 marrëveshjeve. Në fakt kur kam shikuar se fundi bashkë me konkluzionet që janë bërë në Bruksel, del se që nga 2 korriku 2011 deri me 25 gush 2015 janë 39 marrëveshje gjithsej dhe Asociacioni përbën gjashtë pikat e para të një marrëveshje 15 pikëshe e cila është e 16 prej 39”.
Ndërkaq Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se “parakusht i të gjitha parakushteve” është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe se nëse nuk themelohet “nuk ka kuptim takimi në Ohër”.
“Mos më humbisni kohën përndryshe”, tha ai ditë më parë, derisa shtoi se gjithashtu nuk do të njohë Kosovën “as faktikisht as juridikisht” si dhe nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Këto, sipas tij, janë “tri vijat e kuqe” të Serbisë në raport me Plan-Propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./Insajderi/