KQZ mbyll afatin, Lista Serbe nuk regjistrohet për zgjedhjet në Veri - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    KQZ mbyll afatin, Lista Serbe nuk regjistrohet për zgjedhjet në Veri

    Insajderi
    22 March 2023 - 16:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot ishte dita e fundit për të dorëzuar regjistrimin e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat të populluara me shumicë serbe në veri të vendit, shkruan Insajderi.

    Lista Serbe e cila gëzon mbështetjen më të madhe të votuesve në këto zona, me afro 90 për qind, nuk u regjistrua përfundimisht për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetarë të komunave me asambleve komunale.

    “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023”, njoftoi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi..

    “Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 mars – 22 mars 2023), KQZ-ja nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik”.

    Lista Serbe ka thënë se kusht i tyre për pjesëmarrje në zgjedhje mbetet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe tërheqja e njësive speciale policore nga ato zona.

    “Përfaqësuesit e Listës Serbe, deklaruan qartë se partia jonë mbetet konsistente në qëndrimin e saj se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, derisa të plotësohen kërkesat që na bënë të largohemi nga institucionet e Kosovës, që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe tërheqja e të gjitha njësive speciale të Prishtinës nga veriu i Kosovës”, thanë Liste Serbe dje në një njoftim.

    Ndërkaq e hëna e 13 marsit ishte afati i fundit për të lajmëruar zyrtarisht (mos)pjesëmarrjen në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të vendit, shkruan Insjaderi.

    Lista Serbe ndonëse përmes një shkrese në Facebook pati thënë se “nuk marrim pjesë” në zgjedhjet në katër komunat.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 mars në Ohër, deklaroi se zgjedhjet në veri mund të shtyhen për në qershor.

    “Nuk do të flas në emër të Listës Serbe. Thjesht, duhet të flas me ata njerëz. Duhet të shoh nëse [zgjedhjet] duhet të mbahen tani apo në qershor, do të shohim”, ka thënë Vuçiq.

    Për Asociacionin, ndërkaq, Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013. Ai parasheh që serbët e Kosovës të kenë “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.

    Lajmi në përditësim…


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark