
Brukseli dhe Uashingtoni nuk mund të mbështeten më në frazën e parapëlqyer të tyre se “u mbetet palëve” kur është puna te dialogu. Kështu vlerëson në rend të parë eksperti për Ballkanin Perëndimor, profesori amerikan Edward Josep, në një intervistë për “EWB” duke folur për Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe Shtojcës së Zbatimit të saj, shkruan Insajderi.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës “janë bashkëpronar” në këtë Marrëveshje, tha profesori amerikan. “Në të vërtetë, BE ka disa obligime kyçe dhe eksplicite në këtë Marrëveshje”, rikujtoi ai.
“Kredibiliteti i BE-së dhe SHBA-së është në pyetje në një kohë kur Rusia dhe Kina janë bashkuar së bashku, duke përfshirë edhe çështjen e Kosovës. Nëse Marrëveshja dështon, do të jetë një dështim jo vetëm i Beogradit dhe Prishtinës, por edhe i Brukselit dhe Uashingtonit”, tha profesori Joseph.
“Zhvillimet më të fundit në Bruksel – takimet me negociatorët Petar Petkoviq dhe Besnik Bislimi – shpresojmë se mund të tregojnë se situata nuk është aq e zymtë sa duket. Raportet thonë se ka një deklaratë të dakorduar për personat e zhdukur, si dhe progres fillestar në vetë-menaxhimin ose Asociacionin ose Bashkësinë e komunave me shumicë serbe të kërkuar dhe dakord prej kohësh”, tha ai.
Joseph riktheu tezën e tij se është Ukraina ajo e cila duhet të bëjë kthesën e rëndësishme të njohjes së Kosovën.” Unë kam ardhur me këtë ide që Ukraina të njohë Kosovën duke reflektuar mbi pozicionin e mosnjohësve si Spanja. Në rrënjë, pozicioni bazohet në frikën: ‘nëse e njohim Kosovën, atëherë krijojmë një precedent për Katalonjën’. Në fakt, precedenti tashmë ekziston. Por ne nuk e shohim ngjitjen nga ky ‘precedent’ për të cilin paralajmëroi ish-ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremić kur propozoi që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së t’i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mendimin e saj për pavarësinë e Kosovës”.
Lajmi në përditësim…