Konjufca: Lufta për çlirimin e Kosovës u bë nën flamurin shqiptar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Ballina 5

    Konjufca: Lufta për çlirimin e Kosovës u bë nën flamurin shqiptar

    Insajderi
    12 June 2023 - 19:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me rastin e 12 qershorit, 24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, organizuan pritje shtetërore për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë të tjerë të shumtë.

    Në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se 12 qershori 1999, është ndër datat më të rëndësishme për popullin tonë.

    “Përveç ditë e rëndësishme e çlirimit nga Serbia, kjo është ditë e falënderimit dhe kujtimit dhe reflektimit tonë”, tha kryeparlamentari Konjufca.

    Sipas tij, në këtë ditë kujtohet rruga e gjatë dhe e vështirë që është kaluar në përpjekjet shekullore për t’i dhënë fund okupimit dhe për ta përmbysur padrejtësinë.

    Konjufca tha se përpjekja, rezistenca dhe lufta për çlirim nga pushtimi serb, ishte e drejta e popullit autokton që e meritoi lirinë në tokën e vet historike.

    “Prandaj ne kujtojmë sot të gjithë ata që u sakrifikuan më së shumti për lirinë e vendit tonë. I kujtojmë të rënët, dëshmorët e heronjtë e Kosovës, gjaku i të cilëve është fuqia e pathyeshme e themeleve të shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës”, tha Konjufca.

    Ai më tej tha se në këtë ditë kujtohen të gjithë, por në veçanti, komandanti legjendar, Adem Jashari dhe rënien heroike të familjes Jashari.

    “Projekti i çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës nuk ishte përpjekje kundër të tjerëve, por një kauzë e barazisë për të gjithë popullin e Kosovës, pavarësisht përkatësisë kombëtare, etnike, gjuhësore apo religjioze”.

    Konjufca tha se edhe pse lufta për çlirimin e Kosovës u bë nën flamurin shqiptar, projekti i Kosovës gjithnjë ka qenë projekt i lirisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët.

    “Prandaj ne sot i kujtojmë para së gjithash, të gjithë ata veprimtarë, intelektualë, profesorë, studentë e shkrimtarë që na prinë në çdo fazë të popullit tonë në rrugën drejt lirisë e barazisë”, tha Konjufca.

    “E kujtojmë veprimtarin ikonik, Adem Demaçi, presidentin historik, Ibrahim Rugova, intelektualin tribun Ukshin Hoti e strategun e rezistencës sonë paqësore, Fehmi Agani”.

    Ai tha se në një ditë si kjo, është obligim i përhershëm për të falënderuar miqtë e Kosovës për kontributin dhe ndihmën e tyre për çlirimin e Kosovës.

    “Projekti i Serbisë për gjenocid e spastrim etnik të popullit të Kosovës, nuk do të mund të ndalej pa ndihmën vendimtare të miqve dhe aleatëve tanë, SHBA-së, shteteve mike të NATO-s e BE-së”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark