
Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” ka bërë publike emrat e artistëve pjesëmarrës në edicionin e parë të saj që do të mbahet nga data 19 gusht deri më 23 shtator në Prizren.
Pas një pune të gjatë hulumtuese kuratori i këtij edicioni Manray Hsu ka bërë një përzgjedhje të kujdesshme të artistëve, që këtë vit do të përfaqësohen në një nga eventet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në rajon.
Nga Shqipëria janë përzgjedhur për të prezantuar punët e tyre në këtë Bienale artistët Sead Kazanxhiu dhe Alketa Xhafa Mripa (Kosovë/ Britani) dhe Doruntina Kastrati nga Kosova.
Përzgjedhja e artistëve vjen nga vende si Franca, Islanda, Italia, Austria, Bosnja e Hercegovina dhe Tajvani i cili prezantohet me dy artistë HSU Chia Wei dhe YANG Shun-fa.
Tema mbi të cilën artistët do të ndërtojnë punët e tyre është “E ardhmja e kufijve”. Ata janë ftuar për të adresuar me guxim nocionet e kufijve të dukshëm dhe të padukshëm, dhe për të përcjellë mesazhin e domosdoshmërisë për të qenë një shoqëri më e jetueshme kolektive.
Sipas Leutrim Fishekqiut drejtues i Autostrada Bienale “E ardhmja e kufijve” ka për qëllim që t’i trajtojë dukuritë që ekzistojnë brenda kufijve të dukshëm dhe të padukshëm të shoqërisë dhe individit.
“Duke qenë se gjuhët dhe kulturat e ndryshme ndikojnë në format e sjelljes së individit, roli kryesor i artit është që t’i adresojë diversitetet dhe t’i identifikojë burimet e bllokimeve të ndryshme shoqërore në mënyrë që të hapë rrugë për një jetë më të përbashkët kolektive duke i zbutur polarizimet shoqërore”, ka thënë ai.
Edicioni i parë i Autostrada Biennale do të përdorë hapësirat e mrekullueshme historike të Prizrenit në përputhje me temat dhe format e zhvilluara në veprat e artit. Të përhapura në qendër të qytetit do të jenë disa vepra lidhur me jetën e qytetit, historinë dhe diversitetin kulturor.
Stacioni i autobusëve dhe hapësira përreth do të fokusohen në çështjet e lëvizshmërisë, migrimit, kufijve kombëtarë dhe etnikë.
Përgjatë lumit Lumbardhi në zonën e Marashit, në kodra dhe kala, do të gjenden vepra lidhur me gërmadhat, mjediset njerëzore-natyrore dhe hapësirën kohore përtej kufijve njerëzorë.
Ekspozita ndërkombëtare do të hapet më 19 Gusht me performancë dhe evente dhe do të vazhdojë me organizimin e konferencës dhe punëtorive tre ditore nga 20 deri 22 Gusht.
Artistët e përzgjedhur:
Alketa Xhafa Mripa (Kosovë / Britani)
Doruntina Kastrati (Kosovë)
Ella Raidel (Austri)
Ettore Favini (Itali)
HSU Chia Wei (Tajvan)
Ibro Hasanović (Bosnje dhe Hercegovinë)
IRWIN (Slloveni)
Libia Castro (Spanjë),
Olafur Olafsson (Islandë)
Oliver Ressler (Austri)
OPA – Obsessive Possessive Aggression (Maqedoni)
Rena Rädle (Gjermani),
Vladan Jeremić (Serbi)
Sead Kazanxhiu (Shqipëri)
Stefano Romano, Martina Dierico, Guido Affini (Itali)
Valentina Bionizzi (Itali)
Yannick Dauby (Francë)
YANG Shun-fa (Tajvan).