Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka dhënë zotimin se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është në përputhshmëri me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Hovenier këto i tha në një konferencë për media të ftuar përpara objektit të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, teksa shtoi atë që tha kryeministri i Kosovës në Kuvend të premten- se draft-statuti do të shkojë në Kushtetuese, raporton Gazeta Insajderi.
“Më lejoni t’ju kujtoj pozicionin aktual të qeverisë amerikane se çfarë duhet të jetë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Këtë e kemi thënë shumë herë, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Ajo duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv, nuk duhet të jetë një shtresë shtesë e qeverisjes, duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që kemi shtuar në artikullin tonë të janarit nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar”, ka deklaruar ai.
“Pra, besoni se është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Ka vetëm një subjekt që do të marrë vendimin nëse është në përputhje me Kushtetutën dhe ajo është Gjykata Kushtetuese. Siç tha kryeministri Kurti të premten në Kuvend, një nga parashikimet e këtij draft-statuti është që ai të shkojë në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi më tej ambasadori Hovenier.
Ai ka thënë se kur t’i vijë koha, draft-statuti do të jetë i qasshëm për publikun.
“Nuk ka asgjë të fshehtë këtu. Negociatat diplomatike dhe të ndjeshme shpesh bëhen me maturi. Nuk mendoj se ka nevojë të kërkojmë falje për biseda konfidenciale për një çështje shumë sensitive. Në kohën e duhur publiku do të ketë mundësinë të vlerësojë draft-statutin”. /Insajderi.org/