Sot u vra një person me armë zjarri në Lezhë. Raportohet se viktima është Eno Nikulaj, i afërm i biznesmenit të vrarë në Lezhë këtë pranverë, Ardian Nikulaj.
Ardian Nikulaj u vra në prill të këtij viti në një atentat mafioz, ku u përfshinë edhe persona të ardhura posaçërisht nga Britania e Madhe. Policia zbardhi ngjarjen dhe doli në përfundimin se ai u ekzekutua për qëllime gjakmarrjeje.
Policia ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e Eno Nikulajt. Ai u qëllua disa herë me automatik teksa ishte duke lëvizur me makinën e tij. Dyshohet për dy atentatorë, të cilët e ndoqën me automjet.
Mësohet se autorët janë larguar me një BMW ngjyrë gri e cila rezulton të jetë me targa të vjedhura.
Makina rezulton me targa AB138HT të vjedhura në Tiranë tre ditë më parë.
Më tej mësohet se një automjet i paidentifikuar është duke u djegur tek ura e tubit në Rinas pranë aeroportit, makinë kjo që dyshohet se është përdorur nga atentatorët më herët sot.