Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Konjufca: Ky është një sinjal i rrezikshëm - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Konjufca: Ky është një sinjal i rrezikshëm

    Insajderi
    05 January 2024 - 23:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot është arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj në Merdare nga policia serbe.

    Ish-ushtari i UÇK-së u arrestua gjatë kohës sa po kalonte kufirin për të shkuar në Itali së bashku me vëllanë e tij.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar në lidhje me arrestimin e tij, ai ka thënë se ky është një sinjal i rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen.

    “Arrestimi i papranueshëm në Merdare i ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj, nga policia serbe, përbën një sinjal tepër të rrezikshëm në vazhdën e ngjarjeve që tregojnë se autokracitë sot po sulmojnë nga të gjitha anët stabilitetin dhe paqen. E vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre është shtypja e opozitës dhe demokracisë së brendshme, por dhe dëmtimi me çdo mjet i fqinjëve”, ka shkruar Konjufca në rrjetin e tij në Facebook.

    Ai më tutje ka thënë se mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin e sulmeve mbi Kosovën.

    “Në mënyrë të përsëritur, mungesa e ndëshkimit ndaj Serbisë po e rrit numrin dhe natyrën e sulmeve të saj mbi Republikën e Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shkruan tutje ai.

    Kryeparlamentari Konjufca ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të ish-ushtarit të UÇK-së, Hasan Dakaj.

    “Bëj thirrje për lirim të menjëhershëm të qytetarit tonë, Hasan Dakaj. Mbajtja e tij peng, vetëm pse është ish-ushtar i UÇK-së, tregon që në Serbi kemi të bëjmë me një qeveri dhe me një shtet që nuk ka ndryshuar aspak në raport me atë Serbi që bëri krime lufte, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë”, ka thënë kreu i Kuvendit.

    Sipas Konjufcës me këtë akt, qeveria serbe dëshmon se është në përputhje të plotë me politikën e regjimit të Millosheviqit.

    “Akte të tilla mbi qytetarët tanë nuk do të tolerohen në asnjë mënyrë. Thirrja e komunitetit ndërkombëtar për t’i bërë presion Serbisë për lirimin e Hasan Dakajt do t’i shërbente më së miri stabilitetit dhe mundësive të së ardhmes”, ka përfunduar ai.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark