
Në një intervistë për gazetaren Vjosa Beqiri në RTK, Drejtori i Klinikës së Oftalmologjisë në QKUK, Ardian Shabani, ka treguar rreth shërbimeve të ofruara, teknologjisë së fundit, sfidave të klinikës në sigurimin e kujdesit shëndetësor oftalmologjik dhe projektet e inovacionet në fushën e oftalmologjisë.
Shabani tha se klinika ofron një gamë të gjerë të shërbimeve si klinikë ku pothuajse janë të gjitha shërbimet e nevojshme.
“Shërbimet që i ofron klinika e syrit në QKUK janë egzaminimi i përgjithshëm për fëmijë, egzaminimi i përgjithshëm për të rritur, egzaminimet subspecialistike ku hyjnë kabineti për retinë, me OCT dhe AngioCT, kabineti i fëmijëve të lindur para kohe. Për sa i përket intervenimeve kirurgjike, janë operimi i perdes së syrit me metodën Fako, operimi i segmentit të përparëm të syrit, operacionet e vitrektomisë, operacionet e strabizmit, kanalit të lotit me trajtim laser, trajtimi i keratokonusit me trajtim laser, intervenimi për dhenien e preparateve intravitrale, lendimet, tumoret etj”, shtoi drejtori i klinikës.
Teknologjia e kësaj klinike nuk është se ka problem për diagnostikimin e sëmundjeve, madje ai thotë se janë të pajisur mirë me teknologjinë më bashkëkohore në rajon.
“Teknologjia e avancuar në Kliniken e Oftalmologjisë luan një rol të rëndësishëm në diagnostikimin e shpejtë dhe të saktë të sëmundjeve të syrit. Klinika jonë është e pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme që i kanë të gjitha klinikat më të avancuara në regjion. Këto aparatura na kanë lehtësuar punën, sepse brenda pak kohe arrijmë të egzaminojmë dhe diagnostikojmë pacientin shpejt dhe saktë, duke e ngritur kualitetin e punës tonë në bazë të evidencave dhe udhëzimeve bashkëkohore në fushën e oftalmologjisë”, tha Shabani
Shabani u shpreh edhe për sfidat të shumta në sigurimin e kujdesit shëndetësor, duke përfshirë furnizimin dhe paisjet e nevojshme që i duhen Klinikës.
“Sfida në mjekësi ka pasur dhe do të ketë gjithmonë, edhe Klinika e Oftalmologjisë ka sfidat e veta, siç janë furnizimi me barna dhe materiale shpenzuese, pajisjet me aparatura bashkëkohore, punësimi i stafit të nevojshëm sidomos atij infermieror, rregullimi i infrastrukturës së klinikës, si dhe trajnimi i vazhdueshëm i stafit të klinikës në mënyrë që të rritet cilësia e shërbimeve ekzistuese dhe të ofrohen shërbime të reja”, tha ai.
Drejtori i kësaj klinike vlerësoj edhe projektet që i kanë filluar me Ministrinë e Shëndetësisë, ku ndër risit që priten janë zgjërimi i gamës së operacioneve të ndryshme të syrit ku kushtojnë shumë jashta QKUK-së.
“Këto përparime kanë ndikuar në uljen e referimeve të pacientit për trajtim jashtë klinikës për 80% respektivisht, ku rreth 500 raste që janë dërguar në vitet paraprake, tani janë 100 raste në vit, ku janë kuruar me 1.6 milion euro”, u shpreh Ardian Shabani.
Në lidhje me kujdesin për fëmijët, Shabani theksoi se vizitat e parë tek mjeku i syrit zakonisht preferohen para moshës 3-vjeçare dhe para moshës 6-vjeçare nëse hasim ndonjë problematikë ose ankese.